Kosova ka 2 mijë kilometra rrugë dhe 443 kilometra hekurudhë

Sipas të dhënave të prezantuara të mërkurën nga Agjencia e Statistikave, Kosova ka afro 2 mije kilometra rrugë, prej tyre 94% janë të asfaltuara dhe 6% të paasfaltuara, ndërsa gjatësia e hekurudhave që ka Kosova përshkon 333 km binar hekurudhor për transport të mallrave dhe 110 km për transport të udhëtarëve   

 

Bekim Salihu

Prishtinë 14 Gusht 2013 – Sipas të dhënave të Agjencisë se Statistikave te Kosovës, te publikuara te mërkurën, Kosova gjithsej ka 2 mijë kilometër rrugë, prej të cilave rrugë ndërkombëtare janë 3 për qind, rrugë magjistrale 31.8 për qind, ndërsa 65.2 për qind janë rrugë rajonale apo lokale.

Në vitin 2012, nga gjithsejtë 1985.1 km rrugë, 1865.4 km apo shprehur në përqindje 93.95 për qind janë rrugë të asfaltuara, ndërsa 120.1 km apo 6.05 për qind e rrugëve janë të paasfaltuara”, është thënë në raport e ASK-së.

Nga viti 2008 deri në vitin 2012 janë bërë investime kapitale në ndërtimin e rrugëve në Kosovë. Agjencia e Statistikave të Kosovës ka njoftuar se, pasi investimet janë në vijim, ende nuk është bërë riklasifikimi i rrugëve.

Në publikimin e se mërkurës për Statistikat e Transportit dhe Telekomunikacionit, është bërë me dije se klasifikimi i rrugëve, sipas standardeve të ndërtimit bëhet nga bordi i drejtorive përkatëse.

“Agjencia e Statistikave të Kosovës nga Drejtoria e Rrugëve të Kosovës ka marrë vetëm ndryshimet në gjatësinë e rrugëve të asfaltuara dhe të paasfaltuara për vitet 2009 dhe 2010, kurse në vitin 2011 është shtuar rrugë ndërkombëtare në gjatësi prej 38 km dhe në vitin 2012 i janë shtuar rrugës ndërkombëtare edhe 22.4 km. Tani gjatësia e rrugës ndërkombëtare është 60. 4 km”, është thënë në raport.

Po në këtë raport është treguar se në territorin e Kosovës ka gjithsej 333 km binar hekurudhor për transport dhe 110 km për udhëtar.

“Në hekurudhat e Kosovës qarkullojnë 8 lokomotiva ‘disel’, prej të cilave bartin 27 vagonë, 9 të udhëtarëve dhe 18 për bagazh. Në tremujorin e dytë të vitit 2013 numri i pasagjerëve që kanë shfrytëzuar trenin si mjet udhëtimi është 96 mijë. Në raport me tremujorin e dytë të vitit 2012 numri i udhëtarëve është i njëjtë. Transporti i mallrave me tren në tremujorin e dytë të vitit 2013 është 282 mijë tonë, në raport me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar ka pasur rritje për 84.98 për qind”, është thënë në raport, duke shtuar se numri i fluturimeve në tremujorin e dytë të vitit 2013 është 1 809 apo 9.77 për qind më shumë se në tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar.

“Numri i udhëtarëve që kanë shfrytëzuar aeroplanin si mjet transporti është 362 mijë, në raport me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar, ka rritje për 21.19 për qind”, ka përfunduar raporti i ASK-së.

 

Comment

*