Kosova ka 466 mijë hektarë pyje mbi gjysma me pronësi shtetërore

Prishtinë, 15 gusht – Kryeshefi i Agjencisë së Pyjeve të Kosovës, Ahmet Zejnullahu, ka deklaruar se Kosova në raport me sipërfaqen e përgjithshme tokësore ka mbulueshmëri pyjore prej 44-përqindësh, përkatësisht 466 000 hektarë me pyje. Prej kësaj sipërfaqe 60 për qind është në pronësi shtetërore apo 280 000 hektarë dhe 40 për qind apo 186 000 hektarë është pronë e sektorit privat.

Zejnullahu ka thënë se afër 93 për qind të pyjeve janë gjethore (dominojnë bungu dhe ahu), ndërsa pjesa tjetër janë halorë (dominojnë breu, hormoqi dhe pisha).

Sipas tij, Kosova është ndër vendet e pakta të rajonit e cila i plotëson kërkesat për dru.

“Në bazë të inventarizimit nacional të bërë në vitin 2003, konsiderohet se volumi i përgjithshëm i pyjeve të Kosovës me masë drusore është 53 milionë kub, ndërsa shtimi vjetor është afër 1. 200. 000 milionë kub. Nëse i marrim për bazë të gjitha këto parametra, vlerësohet se Kosova është ndër vendet e pakta në rajon që i plotëson kërkesat me dru”, ka thënë Zejnullahu.

Ai ka potencuar se në Kosovë ekziston një sipërfaqe e konsiderueshme e tokave pyjore të zhveshura nga 20-30 mijë hektarë. “Pjesa më e madhe e këtyre sipërfaqeve janë të përshtatshme për pyllëzime apo për mbjelljen e fidanëve të reja”, ka deklaruar Zejnullahu, duke bërë me dije se komunat më të pasura me pyje janë Peja, Istogu, Deçani, Juniku, Dragashi, Shtërpca, Zubin Potoku, Podujeva dhe Kamenica.

Sa i përket mbrojtjes së pyjeve, Zejnullahu është shprehur i pakënaqur.

“Autoritetet komunale nuk kanë qenë të përgatitura për mbrojtjen e pyjeve dhe përpjekjet e tyre për mbrojtjen e pyjeve në komunat e tyre kanë qenë shumë të vogla dhe në shumicën e komunave kemi edhe përkeqësim të gjendjes për sa i përket mbrojtjes së pyjeve. 40 për qind e pyjeve publike dhe 29 për qind e pyjeve private u nënshtrohen aktiviteteve të pakontrolluara apo ilegale të shfrytëzimit dhe komunat më të prekura nga prerjet ilegale janë Ferizaj, Podujeva, Deçani, Mitrovica, Peja dhe Prishtina, kurse komunat e tjera janë më pak të prekura nga prerjet ilegale”, është shprehur Zejnullahu. (B.S) 

Comment

*