Kosova ka potencial për eksportimin e produkteve të tekstilit

Prishtinë, 6 nëntor 2017 – USAID Empower Sektori Privat, në bashkëpunim me Shoqatën Kosovare për Marketing të Veshmbathjeve (KAMA) kanë organizuar Konventën e parë të Veshmbathjeve të Kosovës, me qëllim për të avancuar zhvillimin dhe rritjen e industrisë së veshmbathjeve në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

Konventa do të përmbajë një ekspozitë të veshmbathjeve të prodhuara në Kosovë nga 22 kompani. Gjatë konventës do të zhvillohen takime në mes bizneseve do të mbahet një sfilatë të veshmbathjeve të prodhuara në Kosovë.

Gjithashtu gjatë ditës do të organizohet edhe garën studentore për dizajn, ku studentët që vijojnë studimet në dizajn të modës do të prezantojnë dizajnet e tyre. Pjesë e Konventës jenë forume të industrisë ku ekspertë ndërkombëtarë dhe vendorë do të prezantojnë në tema kyçe të industrisë së veshmbathjeve.

Kryeministri Ramush Haradinaj tha se Kosova ka potencial për eksportimin e produkteve të tekstilit jashtë Kosovës, por vetëm nevojitet përkushtim. Ai theksoi se Kosova mund të jetë eksportuese e produkteve të tekstilit dhe se Qeveria do t’u ndihmojë prodhuesve.

“Qeveria e Kosovës mund të kthehet në një partner të mirë të këtyre prodhuesve qe kanë mbërri me krijuar produkte të veta por edhe kanë mundësi që me këto produkte të mërijnë tregjet e jashtme”, ka thënë Haradinaj.

“Qeveria e vendit duhet me u bë pjesë dhe me përkrah jo vetëm ekspozita panaire, plasimin e produkteve tona, por edhe me i shpreh falënderim partnerëve që ju mbështesin. Bilanci i tregtisë nuk është i mirë na importojmë shumë, por kemi potencial për veshmbathje që nuk e kultivojmë shumë dhe mundemi me qenë garues në tregjet botërore”, ka shtuar ai.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Bajram Hasani, tha se ministria që drejton ai ka për qëllim zhvillimin e eksportit dhe zëvendësimin e importit me prodhimet e vendit.

“MTI po punon me përkushtim për krijimin e një sistemi të posaçëm për bizneset dhe ndërmarrjet e vogla. MTI ka për synim zhvillimin vendor rritjen e eksportit zëvendësimin e importit për produktet që mund të prodhohen në Kosovë“, tha ai

Ushtruesja e detyrës së Drejtores së Misionit të USAID-it në Kosovë, Lisa Magno, tha se USAID do të vazhdojë të japë grante dhe teknikë për zhvillimin e këtij sektori.

“USAID do të ketë kënaqësinë të jetë partner me ju dhe të ofrojë teknike dhe grante, por lajmi është se ky sektor është  duke u bërë fuqi e vërtetë në ekonominë e Kosovës dhe ka akoma hapësirë për t’u zhvilluar. Ky zhvillim do vijë përmes teknologjive të reja dhe produkteve të reja”, tha Magno.

Bardha Sadrija, kryetare e bordit të shoqatës kosovare për marketing të veshmbathjeve, tha se kjo ditë shënon një hap të rëndësishëm për promovimin e veshmbathjeve që prodhhohen në Kosovë.

Projekti pesëvjeçar i USAID-it, Empower Sektori Privat, financohet edhe nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar. Ai ka për qëllim ngritjen e aftësisë konkurruese të firmave kosovare në sektorët e veshmbathjes, përpunimit të drurit, energjisë së ripërtërishme, turizmit dhe përpunimit të metaleve.

Deri më sot, ky projekt ka ndihmuar në krijimin e mbi 2400 vendeve të reja të punës në mbarë Kosovën, ndërsa planifikon të hapen edhe 5000 vende të reja të punës deri në korrik të vitit 2019. (r.m.)

Comment

*