Kosova në mes të një pandemie sezonale dhe një sëmundje kronike politike

Sadik Elshani

Nga Sadik Elshani

Muajt e fundit Kosova dhe gati çdo vend në rruzullin tokësor është duke u ballafaquar me një armik të padukshëm e tepër të rrezikshëm, pandeminë Covid -19. Me përkushtim e kujdes të shpresojmë se do të kaloj edhe ky rrezik dhe gjendja deri diku do të normalizohet përsëri, një gjendje normale e re. Po ashtu, në këtë kohë, por edhe më herët, qysh nga çlirimi e nga shpallja e pavarësisë Kosova është duke u ballafaquar edhe me kriza politike. Kosova siç duket gjithmonë është në udhëkryq, sepse drejtuesit e saj nuk po dinë nga t’ia mbajnë. Disa cështje, disa sfida me të cilat ballafaqohet Kosova i kam trajtuar në disa shkrime të mia të mëhershme, prandaj nuk ka nevojë që të përsëriten tani edhe në këtë shkrim, por të përqëndrohemi te çështjet problemet e kohëve të fundit. Që nga clirimi e këndej Kosova kurrë nuk pati një qeverisje të një niveli të duhur, më mirë të themi se, është keqqeverisur. Madje, asnjë qeveri deri më sot nuk arriti ta përfundoië mandatin katërvjeçarë. Populli që kishte pritur shumë për një qeverisje të pastër të një Kosove të lirë, dita ditës është duke u zhgënjyer edhe më tepër.

 

Pandemi e politikë kosovare

Zgjedhjet e 6 tetorit të vitit 2019 nuk sollën ndonjë fitore bindëse për asnjërën parti politike kosovare, por sollën një koalicion të mundshëm e të dëshirueshëm në mes të partive Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Vlen të theksohet se në këto zgjedhje iu dha një goditje e merituar koalicionit që ishte në pushtet. Populli kishte shpresë në këto dy parti, por edhe këto dy parti me sjelljet e tyre në periudhën paszgjedhore, me negociatat e tejzgjatura për formimin e qeverisë shkaktuan një fije dyshimi se gjërat nuk janë duke shkuar si duhet. Ata që janë të vendosur për t’i marrë fatet e Kosovës në duart e tyre, për t’u angazhuar për një qeverisje që kujdeset për mirëqenjen e popullit, që i përmbush kërkesat dhe shpresat e qytetarëve, që i mbron interest madhore të Kosovës, nuk i zvarrisin punët, por i marrin seriozisht detyrimet e tyre. Duke i përcjellur këto negociata, shpesh të pafrytshme, kisha shënuar në fletoren time të shënimeve: “Po si do të qeverisin këta kur nuk mund të mirren vesh për ndarjen e posteve?!” Më në fund qeveria u formula më 3 shkurt të vitit 2020, por siç dihet kjo qeveri nuk zgjati shumë dhe më 25 mars në Kuvendin e Kosovës qeveria u rrëzua me një mocion mosbesimi, 82 deputetë votuan për shkarkimin e saj. A është mirë kjo, a ka qenë dashtë të ndodhë kjo apo jo, kjo është një cështje tjetër. Por ky është një proces kushtetues. Në skenën e tanishme politike kosovare nuk kemi ndonjë politikan që frymëzon, por për fat të keq nuk kemi as intelektualë që frymëzojnë, që me urtinë e tyre mundohen që t’i afrojnë palët, të sjellin pak qetësi, pak siguri,pak arsye. Në vend të kësaj ata zjarrit i hedhin benzinë. Akademik Rexhep Qosja e quajti këtë një “komplot parlamentar”. Komlotet nuk kryhen nga një proces kushtetues, por në mënyra të tjera. Është ky i njejti akademik qe kur Shqipërisë i vihej flaka nga grupe kriminele komuniste, ky e quajti “Revolucioni i Vonuar Demokratik. Profesor Hakif Bajrami e krahasoi atë me ngjarjet e marsit të vitit 1989 kur Kosovës iu hoq autonomia. Por, ky krahasim nuk qëndron, sepse tani në Kosovë nuk ndryshon asgjë – ndërron qeveria, por jo edhe forma e qeverisjes. Qeveria, shteti i Kosovës mbetet në duart e shqiptarëve. Ndërsa profesor Enver Bytyçi, për të cilin kam respekt, u shpreh se, edhe përkundër masave të ndalimit të grumbullimit të njerëzve për shkak të pandemisë, ata duhbet ta thyejnë karantinën e të çohen në demonstrata. Secili më i paarsyeshëm në mënurën e vet. Në rrethanat e tanishme në të cilat ndodhet Kosova, e cila është në një mbikqyerje të fortë ndërkombëtare, grushtshteti është i pamundur. Edhe presidenti amerikan, Donald Trump u ballafaqua me një proces të ngjashëm kushtetues, që në Amerikë quhet “Impeachment” (paditje, nxjerrje para gjyqit). Ai u denua nga Dhoma e Përfaqësuesve që është nën kontrollin e demokratëve, ndërsa u gjet i pafajshëm nga Senati që është nën kontrollin e republikanëve. Por, n’Amerikë askush nuk e bëri këtë tepër të madhe siç janë duke e bërë në Kosovë. Në Kushtetutën Amerikane është i saktësuar edhe procesi i zëvendësimit të presidentin – nënpresidenti (zëvendëspresidenti) menjëherë do të bëhej president dhe u krye puna, sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Në vitin 1998 të njejtin fat e pati edhe presidenti demokrat Bill Clinton.

Tani në Kosovë gjendja është acaruar mjaft. Secili çdo ditë del me teori dhe hipoteza të pabaza se përse u shkarkua kryeministri, qeveria. Titujt skandaloz dhe shkrimet edhe më skandaloze në disa gazeta janë bërë të neveritshme. Trillime,thirrje çoroditëse: Nëse nuk je me këtë apo atë parti, atëherë je me hajnat, je tradhtar, e të tjera marrëzira. Nuk ka hapësirë për të bashkëbiseduar si njerëz të arsyeshëm, njerëz normalë. Përplasja në mes të dy partive në koalicion, LVV-së dhe LDK-së ndodhi pasi zoti Kurti pa u konsultuar me partnerin qeverisës e shkarkoi ministrin e Punëve të Brendshma, z.Agim Veliu, njëherësh edhe nenkryetar i LDK -së. Ndoshta ka patur edhe përplasje të tjera, por kjo ishte ajo shkëndija, katalizatori, “casus belli” i prishjes së koalicionit. Pastaj vjen edhe përkeqësimi i raporteve në mes të deleguarit të ShBA-ve, amvbasadorit Grenell, dialogu me Serbinë, etj. Me këto veprime, qeverinë e rrëzoi vetë zoti Kurti, me arrogancën, jotolerancën, kokëfortësinë e tij, por edhe nga pesha e trysnisë së dialogut me Serbinë. Siç ëstë ajo shprehja: Për tango duhen dy.Ndoshta edhe LDK-ja pas koalicionit me LVV-në e ka përjetuar një “bayer’s remorse” (pendimi i blerësit), shprehje kjo në gjuhën angleze që shpreh pendesën e dikujt kur blen diçka të shtrenjtë e qe mendon pastaj se nuk ka patur nevojë për atë blerje. Duhet patur mirëkuptim e respekt ndaj partnerit qeverisës. Vërtet partia e z. Kurti në zgjedhjet e 6 tetorit, 2019 doli e para, por ajo fitore nuk ia mundësonte formimin e qeverisë pa bashkëpunimin, përkrahjen e partive të tjera. Kishte vetëm një deputet më tepër se paria e dytë, LDK-ja. Gjatë kësaj qeverisje të shkurtër z. Kurti e trajtoi LDK-ne si një parti të nënshtruar, të mundur prej tij. Kosova në marrëdhënie me Serbinë dhe partnerët ndërkombëtarë ndodhet në një gjendje të ndjeshme, ndodhet në mes të Scillës dhe Haribdës. Prandaj duhet një mjeshtëri e përkryer për ta drejtuar barkën e politikës kosovare në këto ujëra të trazuara.

 

Kushtetuta e Kosovës ka nevojë të ngutshme për plotësime, saktësime

Gjatë gjithë këtij procesi, që nga zgjedhjet e deri te shkarkimi i qeverisë po del në pah se Kushtetuta e Kosovës i ka disa të meta që duhen plotësuar, saktësuar. Disa gjëra janë më të ndërlikuara për t’u ndryshuar, por disa janë më të lehta, thjesht, janë vetëm çështje teknike, praktike. Nuk vij nga lemia e drejtesisë, por disa gjëra nuk është vështirë t’i veresh, e t’i kuptosh kur i krahason me kushtetutën e vendit ku jeton, në rastin tim, ShBA. Në Kushtetutën Amerikane është e saktësuar kur mbaron afati i një presidenti dhe fillon afati i presidentit të ri. Zgjedhjet mbahen të martën e parë të nëntorit pas së hënës së parë të nëntorit, ndërsa presidenti i ri detyrën e merr ne mesditë të datës 20 janar. Nëse i ndodh diçka presidentit, atëherë detyrën menjëheërë e merr zëvendëspresident. Në Kushtetutën e Kosovës nuk është i saktësuar afati se pas sa ditëve pas certifikimit të zgjedhjeve nga KQZ, presidenti duhet ta caktojë mandatarin për formimin e qeverisë. Po ashtu, pas shkarkimit të qeverisë nga Kuvendi nuk është i përcaktuar se sa dite duhet të kalojnë për ta përcaktuar mandatarin e ri dhe sa ditë duhet të kalojnë që mandatari duhet ta formojë qeverinë. Zërat se në Kuvendin e Kosovës u krye grushtshtet janë të pabaza, sepse presidenti i propozoi kryetarit të LVV-se, z. Kurti si fitues i zgjedhjeve që të paraqet një emër të ri ashtu siç e parashah neni 95.5. Por, zoti Kurti asnjëherë nuk ktheu përgjigje, sepse nuk i ka numrat – askush nuk po do të bëjë koalicion me të. Ai me çdo kusht po kërkon zgjedhje të reja, sepse sipas disa sondazheve në Facebook po del se partia e tij mund të fitojë mbi 50% të votave. Kjo është pak e vështirë të arrihet sot në Kosovë. Njëra palë e parapëlqen këtë nen, ndërsa pala tjetër nenin 82, paragrafi 2. Por, ky nen varet nga diskrecioni (liria e veprimit) i presidentit. Pra, te shpërndahet Kuvendi dhe të shpallen zgjedhje të reja. Tani presidenti mandatin ia ka dhënë partisë së dytë, LDK-së, sepse ajo e ka siguruar përkrahjen e më shumë se 61 deputetëve. Çështja tani është për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese. Të gjithë ata që e duan respektimin dhe zbatimin e ligjit, e duan Kosovën, duhet t’i respektojnë vendimet e saj. E kuptoj që ka një zemërim ndaj president Thaçit, por duhet të respektohet institucioni, Zyra e Presidentit. (Edhe vetë dy vite më parë e kam bërë një shkrim në të cilin e kam kërkuar shkarkimin e tij përmes një procesi kushtetues). Në ShBA vendimet e Gjykatës Supreme (Superior Court) janë fjala e fundit e sistemit të drejtësisë dhe vendimet pranohen nga të gjitha palët, pala fituese dhe pala humbëse. Nëpër faqet e gazetave, portaleve, rrjeteve televizive, per cdo ditë po dalin ekspertët dhe po pohojnë se janë bashkëpërpilues të kushtetutës, i pranojnë mëngësitë që u cekën më lartë, por asnjeri nga ata nuk është duke ndërmarrë dicka që të mënjanohen këto mëngësi dhe të saktësohen në Kushtetutë. Kështu do të krijohej një proces normal kushtetues dhe palët nuk do të kenë nevojë që gjithmonë t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për sqarime. Qeveria Kurti tani nga 25 marsi është e shkarkuar, ndërsa kushtetuta nuk ka afat se edhe sa kohë ajo mund të qeverisë. Deri në zgjedhjet e parakohshme? Nëse për këtë vendos Gjykata Kushtetuese. Edhe ky afat duhet të saktësohet në Kushtetutë. Përpiluesit e Kushtetutës duhet të këshillohen me kushtetutat e vendeve të përparuar që kanë një system të ngjashëm parlamentar si ai i Kosovës. Më poshtë po e paraqes si shembull procesin në zgjedhjet e fundit në Izrael, që ka një system të ngjashëm parlamentar dhe numër të njejtë të Knesetit (Parlamentit) te tyre.

 

Zgjedhjet në Izrael dhe paralelizmat me ato të Kosovës

Pse i zgjodha zgjedhjet e Izraelit per t’i krahasuar me ato të Kosovës? Për arsyen se hebrenjtë kanë një histori të ngjashme me shqiptarët, edhe ata janë një popull i stërvuajtur gjatë gjithë historisë së tyre. Por, edhe per arsyen se të dy vendet kanë një system të ngjashëm parlamentar dhe me numër të njejtë të vendeve, 120 (numri nuk është aq i rëndësishëm). E di që Izraeli është Izrael e Kosova, Kosovë, por ndoshta mund të mësojmë diçka nga përvoja e të tjerëve, ne vend se t’i nxejmë gjakërat. Më 9 prill të vitit 2019 në Izrael u zhvilluan zgjedhjet për Kneset. Partia Likud e udhëhequr nga kryeministri në pozitë, Benjamin Netanyahu fitoi 26. 46% të votave, ndërsa partia Blue and Ëhite (Kalter e Bardhë) e udhëhequr nga Benny Gantz fitoi 26, 13% të votave. Të dyja partitë fituan numrin e njejtë të anëtarëve të Knesetit, 35 secila. Më 15 e 16 prill të gjitha partitë qe kishin fituar vende në Kneset u takuan me Presidentin e vendit, Rueven Rivin për të përcaktuar personin që do të formonte qeverinë. Netanyuahu kishte marre 65 premtime (rekomandime), ndërsa Gantz, 45 vende. Rivin e cakton Netanyahun. Pas një muaji të negociatave me partitë tjera, ai dështon që ta formojë qeverinë. Kneseti vendos që të shpërndahet dhe kjo ndodh më 29 maj, 2019. Zgjedhjet e reja caktohen për 17 shtator, 2019. Në zgjedhjet e shtatorit partia Blue and Ëhite fiton 25.95% të votave dhe 33 vende, ndërsa paria Likud fiton 25. 10% të votave dhe 32 vende. Pas negociatave në mes partive, më 25 shtator presidenti Rivin e cakton Netanyahun për të formuar qeverinë, por me kushtëzim, që nëse përpjekjet dështojnë, Rivin e ruan mandatin për ta emëruar një kandidat tjetër.  Më 22 tetor Netanyuahu e informon Presidentin se ai nuk është në gjendje që ta formojë qeverinë. Më 23 tetor Presidenti Rivin mandatin për formimin e qeverisë ia jep Gantzit. Gantzit i janë caktuar 28 ditë për ta formuar qeverinë, por edhe ai dështon dhe më 21 nëntor e kthen mandatin. Tani fillon një periudhë prej 21 ditësh, në të cilën çdo anëtar i Knesetit mund ta udhëheqë qeverinë nëse arrijnë t’ia dorëzojnë presidentit listën e nënshkruar prej 61 anëtarëve. Meqenëse asnjëri nga anëtarët e Knesetit nuk ishte në gjendje që gjer më 11 dhjetor të formojë qeverinë, atëherë Kneseti ka votuar që të shpërndahet. Zgjedhjet e reja caktohen për 2 mars, 2020. Në këto zgjedhje partia Likud i ka fituar 29.46% të votave dhe 36 vende, ndërsa partia Blue and Ëhite, 26.59% të votave dhe 33 vende. Pasojnë negociatat për formimin e qeverisë, por pa sukses. Për të mos shkuar vendi në zgjedhje të reja për shkak të pandemisë, më 20 prill arrihet marrëveshja në mes Netanyahut dhe Gantzit për bashkëqeverisje: 18 muajt e parë Netanyahu do të jetë kryeministër, ndërsa 18 muajt e tjerë, Gantz. Më 6 maj Gjykata Supreme e miraton marrëveshjen e koalicionit qeveritar, ndërsa më 7 maj Kneseti e miraton projektligjin. Në Izrael presidenti i vendit ia dha mandatin edhe partisë së dytë, herë njëres e herë tjetres për ta formuar qeverinë dhe askush nuk u shqetësua, askush nuk e kërcënoi askend, askush nuk bëri thirrje për trazira. Këto i solla vetëm si shembull sesi sillen njerëzit dhe institucionet në një shtet demokratik dhe asgjeë tjetër. Le të vendosë Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

 

Vetëm të bashkuar mund t’i tejkalojmë vështirësitë

Pra, kjo çka po ndodh tani në Kosovë ka ndodhur edhe në vendet e tjera. Çështja tani është për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese dhe të gjithë duhet të jenë të përmbajtur deri në vendimet e saj. E kur të merret vendimi, pa marrë parasysh përfundimin, vendimi i Gjykatës duhet të respektohet nga të gjitha palët e përfshira në këtë proces. Këto ditë u publikua një video ku zoti Kurti në vitin 2014 ngulte këmbë që qeverinë mund ta formojë edhe shumica parlamentare pa partinë e parë të dalë nga zgjedhjet. Ato çka ka thënë e nuk ka thënë zoti Kurti në vitin 2014 nuk kanë fort rëndësi tani, ato le të mbesin në ndërgjegjen e tij. Ajo çka është me e rëndësishme në këtë çast, është vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Kosova si shteti më i ri i kontinentit, që ka vuajtur shumë gjatë tërë historisë së saj, tani ka nevojë për qetësi. Ajo po ballafaqohet me sfida e probleme të shumta: papunësia, varfëria korrupsioni, mungesa e ligjit, e shumë të tjera. E sikur të mos mjaftonin vetëm këto, muajve të fundit iu shtua edhe një armik i padukshëm: pandemia Covid – 19 që e ka paralizuar vendin. Ndërsa udhëheqësit tanë sillen si kalamaj, sillen sikur Kosova të ishte pronë e tyre. Kemi shumë për të bërë, koha e azganisë ka kaluar. Tani duhet të jetë koha e urtësisë, mençurisë, përkushtimit për të ndërtuar një shtet funkcional me institucione demokratike. Këtë çdo ditë na e thonë edhe ata që na duan të mirën, miqtë tanë. Me këtë gjendje të rëndë e kaotike janë duke u kënaqur vetëm kundërshtarët dhe armiqtë tanë të shumtë.

Zgjidhja e vetme e kësaj gjendje të rëndë është bashkëbisedimi i çiltër, serioz e pa doreza, vullneti i mirë për të ecur përpara, për t’i tejkaluar së bashku të gjitha sfidat për të mirën e Kosovës. Zënkat meskine, përleshjet, luftërat, revolucionet i kanë dalë për hunde popullit tonë. Kompromisi, mirëkuptimi, bashkëpunimi, respekti për njëri – tjetrin, forca e argumenteve, fakteve (jo forca e muskujve) duhet të mbizotërojnë në skenën politike e publike të Kosovës. Ata që vërtet e duan Kosovën, nuk e shkatërrojnë atë, por punojnë me këmbëngulje e përkushtim për ta ndërtuar atë. Vetëm të bashkuar mund t’i tejkalojme vështirësitë tona.

Philadelphia, 17 maj, 2020

Sadik Elshani është doktor i shkencave dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro – amerikane.

 

Comment

*