Kosova preferon përfshirjen direkte të SHBA-së në dialogun me Serbinë

Prishtinë, 3 maj 2019 – Lidershipi i Kosovës pret që në fazën e ardhshme të bisedimeve me Serbinë, do të këtë një përfshirje edhe më direkte të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ky qëndrim u shpreh në takimin e liderëve të institucioneve shtetërore, të ftuar nga Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, pas Samitit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Berlin, ku ishte ritheksuar nevoja për vazhdimin e dialogut.

Pas takimit, ku morën pjesë presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj dhe ekipi negociator i Kosovës, Veseli tha se dialogu me Serbinë është një proces i rëndësishëm, andaj  spektri politik i Kosovës duhet të jetë i unifikuar.

Veseli tha se Prishtina zyrtare mbështet vetëm ato bisedime që nuk prekin në sovranitetin e shtetit të Kosovës.

“Besojmë që në të ardhmen të ketë një involvim më direkt të SHBA-së. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe kështu do të jetë tërë jetën. Asnjëherë nuk do të flitet për sovranitetin e shtetit tonë. Ne po flasim për obligimet që duhet t’i marrë Kosova si shtet i pavarur dhe sovran ndaj qytetarëve të vetë, ndaj fqinjëve dhe ndaj Bashkimit Evropian. Qëllimi ynë fillestar dhe përfundimtar është Kosova në Organizatën e Kombeve të Bashkuara ”, theksoi Veseli.

I pyetur nga gazetarët për çështjen e taksës për produktet e importuara nga Serbia dhe nga Bosnja e Hercegovina, Veseli tha se kjo taksë ishte përgjigje ndaj veprimeve të Serbisë.

“Taksa ka qenë vendimi më dinjitoz ndaj Serbisë. Taksa është dashur të konsumohet vetëm në raport me Serbinë. Kur e kam propozuar taksën 100 për qind, ka qenë përgjigje ndaj Serbisë, jo ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë apo Francës. Do të shkojmë gradualisht, por kurrë nuk do t’i nënshtrohemi Serbisë dhe (presidentit të Serbisë, Aleksandar) Vuçiqit”, tha Veseli.

Por, ai nuk u deklarua as për dhe as kundër heqjes së taksës.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nuk dhanë deklarata pas takimit. Por, ata janë deklaruar më parë se presin zhvillime serioze në Samitin e Parisit, i cili pritet të mbahet më 1 dhe 2 korrik.

Haradinaj ka theksuar se Kosova duhet të koordinohet me Shtete e Bashkuara të Amerikës sa i përket procesit të dialogut me Serbinë.

“Sa i përket marrëdhënieve Kosovë – Serbi dhe finales, mendoj se qëndrimet janë formësuar. Nuk shkohet më për ndërrim të territoreve apo për lëvizje të kufijve, por shkohet për njohje reciproke. Për modalitet si ndihmohet dialogu tani më është qartësuar se nuk ka nevojë të diskutohet për taksën, pasi që dialogu po vazhdon dhe qëndrimet nuk kanë nevojë të diskutohen. Takimi i Parisit është takimi më serioz pasi që është bilateral dhe duhet të përgatitemi edhe ne edhe Serbia që të ndihmojmë veten”, ka thënë Haradinaj.

Ndërkaq, presidenti Thaçi, një ditë më parë, është shprehur optimist se në takimin e Parisit mund të ketë një qartësi dhe një dinamikë të re të angazhimeve për përmbylljen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. (r.m.)

Comment

*