Kosova renditet në vendin e 40-të për “Të bërit biznes”

Uashington, 31 tetor 2017 – Kosova është renditur në mesin e 10 ekonomive të botës që kanë pasur përmirësimin më të madh në reformat e të bërit biznes gjatë vitit të fundit.

Kosova sivjet renditet në pozitën e 40-të të listës së 190 vendeve sa i përket lehtësisë së të bërit biznes, thotë raporti i Grupit të Bankës Botërore “Doing Business” (Të bërit biznes), i cili është publikuar sot (e martë).

Vitin e kaluar, Kosova renditej në pozitën e 60 të kësaj liste.

“Kosova radhitet e dhjeta në krijimin e një biznesi, e 12-ta në marrjen e kredisë, e 48-ta në tregtinë ndërkufitare, e 122-ta në trajtimin e lejeve të ndërtimit, e 89-ta në mbrojtjen e investitorëve, e 106-ta në furnizimin me energji elektrike, e 49-ta në zbatimin e kontratave, e 45-ta në pagesën e tatimeve, e 34-ta në regjistrimin e pronës, dhe e 49-ta në zgjidhjen e rasteve të paaftësisë së pagesës”, thuhet në raportin e BB-së.

Marco Mantovanelli, menaxher i Grupit të Bankës Botërore për Kosovën, ka thënë se Kosova ka përmirësuar në vazhdimësi ligjet e saj lidhur me të bërit biznes. Ai ka shtuar se nga treguesit e raportit “Të bërit biznes” shihet se Kosova është duke e ngushtuar hendekun me vendet me performancën më të mirë.

“Ky është një lajm i mirë për ekonominë e Kosovës. Megjithatë, nëse këto reforma nuk zbatohen si duhet dhe në mënyrë konsekuente në praktikë, do të jetë e vështirë për Kosovën që të arrijë ndikimin e dëshiruar për rritjen e produktivitetit të firmave dhe për tërheqjen e më shumë investimeve”, është shprehur Mantovanelli.

Raporti “Të bërit biznes” në 190 vende mat çdo vit aspekte të ligjeve që janë me rëndësi për sipërmarrësit. Matja fokusohet në dhjetë fusha: krijimit të një biznesi, trajtimit të lejeve të ndërtimit, furnizimit me energji elektrike, regjistrimit të pronave, marrjes së kredisë, mbrojtjes së investitorëve, pagesës së taksave, tregtisë ndërkufitare, zbatimit të kontratave dhe zgjidhjes së asteve të paaftësisë së pagesës.

Nëntë ekonomitë që kanë bërë përmirësimet më të mëdha në “Të bërit biznes 2018’ janë: Brunei Darussalam, Tajlanda, Malavi, India, Uzbekistani, Zambia, Nigeria, Xhibuti dhe El Salvadori.

Rajonet me përqindjen më të madhe të ekonomive reformuese në “Të bërit biznes 2018” janë Evropa, Azia Qendrore, Azia Jugore dhe Afrika Sub-Sahariane. (r.m.)

Comment

*