Kosova shënoi 19 vjetorin e hyrjes së forcave të NATO-s

Prishtinë, 12 qershor 2018 – Autoritetet në Kosovë përkujtuan 12 qershorin e vitit 1999, kur forcat e NATO-s hynë në Kosovë për vendosjen dhe ruajtjen e paqes.

Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, e kishte shpallur 12 Qershorin si Ditë të Lirisë së Kosovës.

Në 19 vjetorin e vendosjes së forcave të NATO-s në Kosovë, Kryeministri Ramush Haradinaj e vlerësoi lart rolin dhe kontributin e kësaj force. Ai e shfrytëzoi rastin të shprehë edhe aspiratën e Kosovës që të bëhet pjesë e Aleancës Veri-atlantike dhe të japë kontributin e saj në misionet paqëruajtëse të saj kudo në botë.

“Kosova synon anëtarësimin në NATO, në organizatën e ushtrive të paqes, për të ndihmuar jo vetëm vetën dhe rajonin, por këdo dhe kudo që ka nevojë. Kosova është e gatshme të kontribuojë për sigurinë dhe paqen në botë”, tha Haradinaj.

Ai i bëri këto komente pas zbulimit të pllakës përkujtimore kushtuar pjesëtarëve të rënë të forcave paqeruajtëse të KFOR-it në Kosovë, e cila është vendosur në Prishtinë.

“Ky memorial është që Kosova e ka vendosur për rrugën e vet dhe nderimin e të rënëve. Ne e mirëpresim qëndrimin e përhershëm të KFOR-it në Kosovë. Liria është vlera jonë e përbashkët e Kosovës dhe aleatëve”, tha Haradinaj.

Ai tha se në këtë ditë Kosova i kujton të gjithë ushtarët e forcave të KFOR-it që ranë në shërbim të ruajtes së paqes dhe sigurisë në vend.

Deri më tani 157 ushtarë të KFOR-it kanë humbur jetën në Kosovë, kryesisht në aksidente.

Ndihmës asistenti i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, John Manza, i cili mori pjesë në ceremoninë e zbulit të pllakës përkujtimore,

“Ky monument do të mbetet një simbol për atë se çfarë kemi arritur për gjatë viteve në Kosovë, si kemi arritur sukses për të tejkaluar dallimet e së kaluarës, duke ndërtuar një Kosovë të fortë e të re që synon drejt të ardhmes, dhe kjo e ardhme pashmangshëm është në familjen euro-atlantike”,tha Manza.

Ai theksoi se KFOR-i do të vazhdojë të qëndrojë në Kosovë dhe të ndihmojë për ruajtjen e një mjedisi të qetë e të sigurtë për të gjithë qytetarët dhe për të gjitha komunitetet e Kosovës.

“NATO është e vendosur të qëndrojë në Kosovë për sa kohë që është e nevojshme”,theksoi ai.

Trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë, më 12 qershor të vitit 1999, ndërsa trupat serbe po largoheshin nga Kosova.

Kosova është mirënjohëse për rolin që ka luajtur misioni i NATO-s, si në ruajtjen e pasqes ashtu edhe në rindërtimin e vendit dhe në krijimin dhe ngritjen e institucioneve shtetërore, sidomos të Forcës së Sigurisë së Kosovës. (r.m.)

Comment

*