Kosova shkëlqeu në Sofje, e mundi Bullgarinë

Prishtinë, 10 qershor 2019 – Kombëtarja e Kosovës në futboll sonte i bëri të festojnë kosovarët. Ajo shkëlqeu në stadiumin “Vasil Levski” në Sofje. Ajo e mundi kombëtaren bullgare 3 me 2, me golat që i shënuan Rashica, Muriqi dhe Rashkaj.

Ndeshja u zhvillua në kuadrin e kualifikimeve për Kampionat Evropian.

Lojtarët e përzgjedhur të selektorit Bernard Challandes i dhanë leksion lojtarëve bullgarë. Ata dominuan në të gjitha elementet e lojës.

Dominimi në fushë u kurorëzua me gol në minutën e 14-të. Rashica i dëshmoi cilësitë e tij prej golashënuesi, pas një gabimi në mbrojtjen e bullgarëve.

“Dardanët” patën edhe disa raste shënimi, por nuk i konkretizuan ato. Ndërkaq, bullgarët me më shumë përvojë e shfrytëzuan një moment pakujdesie në mesfushë dhe e barazuan rezultatin, në minutën e 43-të.

Pjesën e dytë, lojtarët e Kosovës e nisën si me ngërç, ndërsa lojtarët e Bullgarisë e nisën me më shumë presion ndaj repartit mbrojtës të Kosovës. Ata edhe arritën të shënojnë golin e epërsisë, por atë e shënuan nga një gjuajtje nga këndi.

Por, lojtarët kosovarë e mblodhën veten, e rikthyen plotësisht dominimin në mesfushë dhe krijuan raste të shumta shënimi. Loja kreative e tyre i mblodhi lojtarët e ekipit kundërshtar në vijën e mbrojtjes. Megjithkëtë, në minutën 64, Kosova e barazoi rezultatin, me golin e Vedat Muriqit, i cili kërceu mbi mbrojtësit bullgarë shtatlartë  dhe shënoi me kokë.

Barazimi u dha zemër edhe më shumë futbollistëve kosovarë. Ata krijuan një mori rastesh për të shënuar, por nuk i konkretizuan ato, kryesisht nga mungesa e fatit.

Drejtësia në fushë u vendos në minutën e tretë shtesë të ndeshjes. Elbasan Rashani, i cili ishte zëvendësues, shënoi me kokë nga afërsia, pas një krosimi të shkëlqyeshëm nga krahu i majtë.

Lojtarët e Kosovës e festuan fitoren me mbi 1 mijë tifozë të tyre që kishin udhëtuar në Sofje nga Kosova dhe nga vende të ndryshme të Evropës.

Edhe tifozët e Kosovës dominuan në stadiumin “Vasil Levski”. Ata i inkurajuan gjatë gjithë lojës futbollistët kosovarë, me brohoritjet “Kosova, Kosova”, “Duam fitore” dhe me këngën “Besa-besë”. Dhe, siç u pa në lojë dhe siç tregon rezultati i saj, ata e arritën këtë. Prandaj edhe u shpërblyen.

Kjo ishte ndeshja e tretë e Kosovës në kualifikimet për Kampionatin Evropian. Kosova luajti baraz në dy ndeshjet e para, me Bullgarinë në Prishtinë dhe me Malin e Zi në Podgoricë. Me firoren e sotme ajo u ngjit në pozitën e tretë në Grupin A, me pesë pikë.

Në vendin e parë gjendet Anglia  me 6 pikë, kurse në vendin e dytë renditen Çekia, po me 6 pikë. Mali i Zi dhe Bullgaria gjenden në dy pozitat e fundit, të dyja me nga dy pikë.

(Ramadan Muçolli)

Comment

*