Kosova s’ka fonde për ndërtimin e TC “Kosova e Re”

Prishtinë, 14 nëntor 2017 – Një miliard euro do të kushtojë ndërtimi i termocentralit të ri “Kosova e Re”, i cili tash e sa kohë ka mbetur projekt në letër. Financimi i këtij gjiganti energjetik nuk është siguruar ende, ndërsa studimet rreth këtij projekti kanë përfunduar dhe tashmë është duke u studiuar vetëm aspekti social dhe mjedisor që pritet të përfundojnë në dhjetor. Këtë muaj, do të nënshkruhet një marrëveshje komerciale që do t’u hapë rrugë ofertave tenderuese.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka thënë se ka kompani nga vendet e BE-së që janë të interesuara për të investuar në këtë projekt, gjë që i konvenon Kosovës, pasi do të mund t’i blejnë pajisjet në ato vende dhe do të mund ta siguronin financimin.

“Do të tentojmë që financimin ta bëjmë nga ato shtete që ne i marrim pajisjet, përmes agjencive eksportuese kreditore që mund të financojnë nëse i blejmë pajisjet tek ato vende dhe ky është qëllimi ynë, pasi financimi është problemi ynë kryesor, pasi e dimë që Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim që në vitin 2018 me strategji e ka paraparë që nuk do ta financojnë asnjë projekt me thëngjill. Do të thotë do të hiqet si mundësi e financimit”, ka thënë ai për trabsmetuesin publik të Kosovës.

Kostoja e lartë e ndërtimit të termocentralit të ri po shihet si problem edhe për njohësit e ekonomisë. Sipas Fadil Osmanit, Kosova nuk ka mundësi ta financojë ndërtimin e këtij gjiganti energjetik, prandaj Kosova do të mund të siguronte fonde të Bashkimit Evropian, i cili ka të ndarë 23 miliardë eurosh vetëm për sektorin energjetik në shtetet e BE-së.

Kosova nuk është në BE, por, sipas Osmanit, kjo do të mund të bëhej përmes kredive.

“Kosova nuk i ka kapacitetet e mjaftueshme, burimet e mjaftueshme financiare për të ndërtuar termocentralin e ri, por kjo nuk do të thotë që Kosova nuk ka mundësi t’i gjejë burimet financiare për ta ndërtuar këtë termocentral duke iu përshtatur edhe nivelit të Bashkimit Evropian”, ka thënë ai.

Projekti për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, i cili ka filluar në vitin 2014, ka pësuar disa herë ndryshime. Në fillim, ky termocentral parashihej të kishte kapacitet prej 2 mijë megavatë orësh, ndërsa së fundmi është vendosur që kapaciteti i tij të jetë vetëm 500 megavatë orë, kapacitet ky që konsiderohet se do të jetë e mjaftueshme për nevojat energjetike që ka Kosova.

Me ndërtimin e termocentralit “Kosova e re” pritet të mbyllet Termocentrali “Kosova A”, gjë që pritet të ndikojë në përmirësimin e dukshëm të ambientit jetësor në Kosovë. (r.m.)

Comment

*