Kosova – vendi me më së paku kursime në rajon

Prishtinë, 30 nëntor 2017 – Në 10 bankat komerciale që veprojnë në Kosovë, vlera e kursimeve apo depozitave të klientëve ka arritur mbi 3 miliardë euro.

Sipas raportit të Bankës Qendrore të Kosovës, mbi 2 miliardë e 100 milionë euro janë kursime të ekonomive familjare, kurse rreth 800 milionë euro janë depozita të ndërmarrjeve.

Norma e interesit për kursime është rreth një për qind.

Sipas ekspertëve të ekonomisë, mbajtja e kursimeve në institucionet financiare në Kosovë, si nga ekonomitë familjare ashtu edhe nga bizneset, tregon nivelin e stabilitetit të bankave komerciale që veprojnë në vend dhe nivelin e besueshmërisë ndaj këtyre bankave.

Drejtori ekzekutiv në Shoqatën e Bankave të Kosovës, Petrit Balija, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se normat e interesit për depozita janë të ulëta dhe jofavorizuese për klientët, jo vetëm në Kosovë, por në të gjitha shtetet e Evropës.

“Norma në depozita është në një nivel shumë të ulët dhe nuk i favorizon kursimtarët, por kjo është një gjendje e përgjithshme, jo vetëm në rajon, por në gjithë Evropën”, ka thënë Balija.

Në anën tjetër, eksperti i fushës së financave, Milazim Abazi, ka thënë se Kosova ka nivelin më të ulët të depozitave për kokë banori, në krahasim më vendet e rajonit.

“Kosova ka mundësi edhe më tepër, të rriten kursimet e qytetarëve dhe të bizneseve, të garantohet minimumi i depozitave që aktualisht është 4.000 euro dhe të shkojë në 10 mijë euro. Atëherë kjo do të ndikonte në sigurinë e qytetarëve”, ka thënë Abazi.

“Ne mund të themi se kemi banorë të njëjtë me Maqedoninë, por qytetarët e saj i kanë 6 milardë euro kursime, kurse Shqipëria i ka kaluar mbi 8 miliardë euro kursime”, ka theksuar ai.

Përgjegjës për sigurimin e depozitave është Fondi i Sigurimeve të Depozitave të Kosovës. Limiti i tanishëm i sigurimit të depozitave për një depozitor të bankës, , person fizik apo juridik, është 4.000 euro. Ky limit parashihet të rritet në 5 mijë euro nga viti i ardhshëm.

Petrit Balija ka thënë se kursimet e qytetarëve duhet të llogariten si kapital pozitiv për investime në të ardhmen.

“Është shumë pozitive që qytetarët arrijnë të ndajnë një pjesë nga të ardhurat dhe t’i deponojnë si kursime. Sepse për të bërë investime së pari duhet të kemi kursime, një bazë të mirë të kapitalit dhe pastaj vijojnë edhe investimet”, ka thënë Balija.

Vlera e depozitave në bankat komerciale të Kosovës e tejkalon edhe shumën e kredive të përgjithshme në nivel vendi.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, vlera e kredive ka arritur në mbi 2.4 miliardë euro. Ekonomitë familjare kanë rreth 900 mijë euro kredi, kurse ndërmarrjet mbi 1.5 miliard euro.

Ndryshe nga interesi për depozitat, i cili është rreth 1 për qind, kamatat për kredi sillen nga 6 deri në 7.7 për qind, varësisht nga lloji i kredisë dhe nga banka komerciale.

(Nadie Ahmeti, REL)

Comment

*