Kosovarja dyshon se para 20 vjetësh ia rrëmbyen djalin e posalindur në Beograd

Tiranë, 12 qershor 2018 – Emisioni “Me Zemër të Hapur” në News24 ka trajtuar brengën e një nëne kosovare, 51-vjeçare, e cila është në kërkim të djalit të saj qe 20 vjet.

Hajrije Morina, me origjine është nga Komorani i Kosovës, jeton prej shumë vitesh në Francë. Ajo ka treguar se prej 20 vjetësh e gërryen në shpirt dyshimi se djali të cilin e kishte lindur në një spital të Beogradit nuk i kishte vdekur, por i ishte rrëmbyer.

“Para shume vitesh, unë kam qenë e martuar në familjen Korelli në fshatin Polac – Komuna Skenderaj. Pas 11 vitesh martese mbeta shtatzënë dhe kjo ishte lumturia me e madhe për mua dhe familjarët e mi. Në vitin 1998 dhe konkretisht me 10 janar unë solla në jetë djalin tim të parë. Kjo lindje u krye në spitalin ‘Narodni Front’ të Beogradit dhe qëndrova disa ditë në spital. Pas katër ditëve lumturie që u bëra nënë, aty mjeket më thanë se foshnja ime kishte ndërruar jetë .Nuk mund ta besoja, pasi ai gëzonte shëndet të plotë. Lajmi ishte i pabesueshëm edhe për shkak se nuk ma dorëzuan as nuk ka treguan trupin e foshnjës dhe as nuk më dhanë shpjegime më të hollësishme. Sot e kujtoj vetëm numrin 213 që im bir e mbante në dorë, numri identifikues”, ka thënë ajo.

“Jeta ime vazhdoi me të tjera hidhërime. I pësova tri aborte, kurse në vitin 2008 e humba edhe bashkëshortin, në një aksident tragjik. Largimi nga jeta e bashkëshorti është momenti më i vështirë në jetën time”, është shprehur ajo.

Hajria ka treguar se ajo është martuar përsëri dhe tash 7 vjet jeton në Paris, por edhe sot e kësaj dite vazhdon të jetë në kërkim të të birit.

“Nuk ishte e lehtë për mua të rinisja jetën. Emigrova  drejt Francës. Tashmë jam rimartuar dhe jetoj prej 7 vitesh në këtë shtet. Nuk jam bërë më nënë, edhepse shumë e kam dëshiruar. Sot, pas 20 vitesh, jam në kërkim të djalit tim. Shpirti ma ndjen që ai është gjallë. S’kërkoj asgjë më shumë nga kjo jetë, vetëm të ndjej frymëmarrjen e tim biri”, ka treguar ajo.

“Dua ta heq brengën time prej shpirti, të mësoj se është gjallë apo ka vdekur. Çfarë mund të bëj. Po të jetë gjallë, mbase edhe s’do të më shohë, s’do të më dojë… Por, të paktën unë do të jem gjithnjë me të. Sytë i ka pasur si të babait të tij. Do të më mjaftonte vetëm ta shihja që është gjallë”, ka rrëfuer kosovarja fatkeqe, Hajrie Morina. (r.m.)

Comment

*