KPA uron Kosovën për zgjedhjet, premton ndihmë në Washington

Kongresi Panshqiptar Amerikan ka lëshuar mbrëmë një deklaratë, në të cilën lavdëron popullin e Kosovës për “organizimin dhe mbarëvajtjen e mrekullueshme të Zgjedhjeve Parlamentare më 14 shkurt 2021”.
KPA, që shpalli themelimin e tij në 28 Nëntorin e fundit, në SHBA, ka përgëzuar në veçanti Lëvizjen Vetëvendosje dhe ka bërë thirrje për themelim të shpejtë të institucioneve dhe qeverisë së re.
Këshilli ka përshëndetur edhe reagimin amerikan për rezultatet e zgjedhjeve dhe ka premtuar ndihmë për Kosovën dhe udhëheqësit e saj të rinj në Washington.
“Kongresi Panshqiptar Amerikan, do të jep mbështetje me krejt forcën për bashkëpunimin Kosovë-Amerikë. Si Kosovën ashtu dhe Kongresin Panshqiptar Amerikan, na pret punë e madhe. Jemi gati dhe mezi presim të japim kontributin tonë në punët që presin Kosovën dhe qeverinë e saj të re”, thuhet veç të tjerash në deklaratën e lëshuar mbrëmë, rreth mesnatës me orën amerikanolindore.
Si e ka bërë të ditur në deklaratën e tij të nëntorit, “KPA-ja është themeluar që me përkushtim të promovojë vlerat dhe interesat e shqiptarëve dhe të amerikanëve, të përkrahë parimet demokratike dhe të mbrojë identitetin e shqiptarëve, sot dhe për brezat që vijnë”. (r. a.)

Comment

*