KQZ kërkon informacione shtesë nga Prokuroria për mandatin e deputetëve Rakipi dhe Rehovica

Aqif Rakipi dhe Gledion Rehovica vazhdojnë të jenë deputetë, të paktën deri të premten. Rakipi nuk u paraqit, ndërsa Rehovica i pyetur për një ndalim në policinë italiane, tha se nuk mbante mend se përse ka ndodhur.

 Ardian Vishaj që përfaqësonte Gledion Rehovicën dhe Theodhori Sollakun që përfaqësoi Aqif Rakipin, mohuan që klientët e tyre të kenë masa sigurie për ndalim, hetim apo dënim në Itali.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kërkoi nga prokuroria informacion shtesë për t’u bindur nëse për dy ligjvënësit e PDIU-së dhe LSI-së mandati i deputetit ndërpritet. Termi “i raportuar” i përmendur në kërkesën e prokurorisë krijoi paqartësi në mbledhje.

Votës së anëtarit të propozuar nga LSI ju bashkuan edhe tre të anëtarëve që përfaqësojnë PS. Dy votat kundër janë të anëtarëve që përfaqësojnë PD. Mungonte Hysen Osmani, vota e të cilit në çdo rast nuk do ndryshonte vendimmarrje.

KQZ e pret përgjigjen deri mesditën e së premtes, por ndërkohë Prokuroria e Përgjithshme kallëzoi deputetet Rakipi e Rehovica në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve.

Sipas prokurorisë ata nuk deklaruan në formularin e dekriminalizimit se janë raportuar në Itali për veprën penale të marrjes së mallrave të vjedhur dhe të vjedhjes së një dyqani, për të cilat përkatësisht Aqif Rakipi dhe Gledion Rehovica rezultojnë me emra të tjerë.

Ndërkohë KQZ kërkoi informacion shtesë edhe për kreun e bashkisë Pogradec, Eduart Kapri edhe pse sipas Prokurorisë nuk është në kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksionit.

Me vendim të KQZ ish-deputetet Mhill Fufi dhe Omer Mamo nuk janë subjekte të dekriminalizimit.

  Top Channel

Comment

*