KQZ vendos për rinumërim të 313 vendvotimeve

Prishtinë, 9 tetor 2019 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë ka marrë vendim që 313 vendvotime të shkojnë në rinumërim.

Sipas Komisionit 303 vendvotime do t’i nënshtrohen rinumërimit pasi janë evidentuar gabime teknike në formularët në të cilët janë bartur votat, ndërsa në10 vendvotime tjera është vërejtur mungesa e votave të kandidatëve, të disa fletëve të formularëve të rezultateve si dhe disa mungesa të nënshkrimeve.

Rinumërimin e këtyre vendvotimeve në mbledhjen e KQZ-së e ka rekomanduar Qendra e Numërimit të Rezultateve.

Një ditë më parë, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka hedhur poshtë kërkesën e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Partisë Demokratike të Kosovës dhe koalicionit, Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë, për rinumërimin e të gjitha votave në nivel vendi.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Kosovës u mbajtën më 6 tetor në 38 komuna në 895 qendra të votimit me 2545 vendvotime.

Nga rezultatet preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 25.49 për qind të votave, pasur nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 24.82 për qind të votave.

Sipas KQZ-së, Partia Demokratike e Kosovës, e cila ka udhëhequr për 12 vjet, ka dalë e treta.

Këto rezultate nuk përfshijnë votat me kusht, votat me postë edhe votat e personave me nevoja te veçanta.

(REL)

Comment

*