Kraja: Instituti Albanologjik s’i bën vend Anton Çettës, ia ka rezervuar Rexhep Qosjes

“Vetëm diktatorëve iu caktohet vendi i përmendoreve para se të vdesin; me shkrimtarë nuk ka ndodhur kurrë një gjë e tillë”.

 

Prishtinë, 17 korrik 2018 – Shkrimtari Mehmet Kraja, në një shkrim të publikuar në Gazetën “Express”, shkruan se drejtuesit e Institutit Albanologjik në Prishtinë nuk po lejojnë vendosjen e shtatores së Anton Çettës në oborrin e institutit, sepse aty po ia ruajnë vendin bustit ose shtatores së shkrimtarit Rexhep Qosja.

Kraja, në shkrimin me titull “Rikthimi i kohëve të errëta”, i ka quajtur “shkencëtarë minorë” dhe “makiavelistë” drejtuesit e Institutit Albanologjik të Prishtinës.

“Zhgjyri kulturor dhe politik na doli në sipërfaqe edhe me shtatoren ose bustin e Anton Çettës (po e shkruaj me dy “t” për respekt, jo pse ka ndonjë kuptim). Tani më vjen për të qeshur nga shqetësimi që ndihet në ajër për një gjest jokulturor, poshtërues për memorien historike të këtij vendi, i cili vjen nga një institucion simbol, siç është Instituti Albanologjik, por që shumë vjet e këndej i pushtuar nga ca shkencëtar minorë dhe makiavelistë. Çudi për t’u çuditur nuk është pse Instituti Albanologjik në oborrin e tij nuk i bën vend Anton Çettës (mbështetës i LDK-së), sepse atë hapësirë ia ka rezervuar Rexhep Qosjes (mbështetës i PDK-së), por të habit fakti pse njerëzit nuk e paskan kuptuar tanimë se Instituti Albanologjik, edhe Instituti i Historisë, me punën që bëjnë që nja njëzet vjet e këndej nuk nderojnë më askënd, as Ali Hadrin pak më lart, as Anton Çettën apo Rexhep Qosjen pak më poshtë” ka shkruar ai.

Kraja e karahason sjelljen e drejtuesve të Institutit Albanologjik të Prishtinës ndaj Rexhep Qosjes me sjellen e “atyre që e kanë mendjen e turbullt” ndaj diktatorëve dhe jo ndaj shkrimtarëve.

“Në fund, në ndihmë të atyre që e kanë mendjen e turbullt dhe ende janë të përhantë, mund të shpreh një mendim: Vetëm diktatorëve iu caktohet vendi i përmendoreve para se të vdesin; me shkrimtarë nuk ka ndodhur kurrë një gjë e tillë”, thekson Kraja.

Drejtori i Institutit Albanologjik, Hysen Matoshi, ka deklaruar para disa ditësh se oborri i këtij institucioni nuk është vend adekuat për shtatoren e Anton Çettës.

Sipas tij, shtatorja e Çettës do të duhej të vendosej “në ndonjë shesh të madh të qytetit”, i cili do të pagëzohej edhe me emrin e mbledhësit të folklorit e udhëheqësit të Lëvizjes për pajtimin e gjaqeve në fillim të viteve ’90. (r.m.)

 

Comment

*