Krasniqi: Kush po sundon në Kosovë?

Prishtinë, 28 mars 2018 – Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, tani kryetar i këshillit kombëtar të Nismës Socialdemokrate, ka reaguar ashpër për arrestimin dhe deportimin e gjashtë shtetasve turq në Kosovë dhe deportimin e tyre Turqi.

Krasniqi i quan “kriminelë” ata që kanë dhënë urdhër për arrestimin e gjashtë punonjësve të kolegjit “Gulistan’ në Kosovë dhe i sulmon ashpër liderërt e tri institucioneve kryesore të shtetit, të cilët thanë se nuk kanë qenë në dijeni për këtë veprim.

“Nëse kryetari i shtetit, kryeministri e kryeparlamentari nuk e dinë kush ka dhënë urdhër për ekstradimin e tyre, atëherë kush po sundon në Kosovë?”, shkruan Krasniqi në një postim në Facebook.

Si shton se ministri i Punëve të Brendshme dhe shefi i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës mund të shkarkohen, por përgjegjësia është e “urdhërdhënësit” të tyre.

Postimi i plotë i Krasniqit:

Tirania brina s’ka!

Arrestimi dhe ekstradimi i arsimtarëve të Kolegjit Memet Akif në Turqi është turp që nuk lahet lehtë, është më shumë se turp se është dëshmi e gjallë se ky mentalitet as bënë e as krijon shtet dhe as mbron shtet.

Ata njerëz që kanë dhënë urdhër për një veprim të tillë, janë kriminel. Kriminel që po e shkatërrojnë shtetin e vet, që po e izolojnë popullin tonë dhe në vend që të integrohemi në Demokracinë Perëndimore, po integrohemi në despotizmin e tiraninë aziatike. Turpi qoftë mbi ata që e gatuan ketë gjellë të ligë.

Nëse Kryetari i shtetit, Kryetari i Kuvendit e Kryeministri nuk e dinë kush dha urdhër, atëherë kush po sundon në Kosovë?

Me ketë veprim të shtetit tim, u ndjeva më shumë se i turpëruar.

Turpi brirë nuk ka!

P.S. Ministri i PM e Shefi i AKI-së edhe mund të shkarkohen, por përgjegjësia është te urdhërdhënësi i tyre!

(r.m.)

Comment

*