Krasniqi: LDK e Lista Serbe mbajtën qëndrim të njëjtë për Specialen në PE

Prishtinë, 22 janar 2018 – Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, i ka hedhur poshtë kritikat se deputetët e koalicionit qeverisës në Kosovë kanë penguar miratimin e konkluzioneve të Parlamentit Evropian (PE), në Strasbourg.

Sipas Krasniqit, këtë e kanë pamundësuar deputetët e LDK-së dhe Listës Serbe, të cilët kanë mbajtur qëndrim të njëjtë lidhur me  nismën për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.

“Nuk është e vërtetë që qëndrimi i koalicionit qeverisës ka ndikuar që të dështojë miratimi i konkluzioneve të përbashkëta në mes Parlamentit Evropian dhe Kuvendit të Kosovës. Kjo ka ndodhur për shkak të qëndrimit të përbashkët të deputetëve të LDK-së dhe të Listës Serb. Ata bashkërisht kanë kundërshtuar amendamentin që kishte të bënte me Specialen. Deputetët e PDK–së vetëm kanë abstenuar gjatë votimit të këtij amendamenti“, ka thënë Krasniqi, transmeton Koha.net.

Në takimin ndërmjet përfaqësuesve të të dy parlamenteve, ka qenë temë edhe nisma për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Sipas kumtesës së LDK-së, deputetët e kësaj partie do të vazhdojnë të kundërshtojnë çdo ide që ka për qëllim dëmtimin e sovranitetit të vendit dhe të partneritetit me shtetet mike.

Deputetët po ashtu diskutuan lidhur me sundimin e ligjit, dialogun Kosovë-Serbi, krimet e kryera nga Serbia në Kosovë dhe tema të tjera lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë. (r.m.)

Comment

*