Krasniqi: Numri i shtretërve dhe mjekëve, sfidë për Kosovën

Prishtinë, 30 korrik 2020 – Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, ka thënë se situata epidemiologjike me koronavirus në Kosovë është tejet e rënduar dhe kapacitetet spitalore për trajtimin e të sëmurëve nga ky virus janë të kufizuara.

“Gjendja aktuale është jashtëzakonisht e rënduar. Tash e një muaj kemi rritje të numrit të rasteve të të infektuarve në nivel vendi dhe kjo po përcillet edhe me rritjen e numrit të pacientëve që kërkojnë hospitalizim. Ne kemi pothuajse rreth 600 pacientë të shtrirë në klinikat tona në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë dhe spitale rajonale. Ky numër është i madh kur dihen kapacitetet e sistemit tonë shëndetësor”, ka deklaruar ai në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Krasniqi ka thënë se Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës ka në dispozicion për COVID-19 gjithsej 750 shtetër, prandaj po bëhen përpjekje për shtimin e numrit të shtetërve.

“Tashmë i kemi katër klinika brenda QKUK-së, Klinikën Infektive, Pulmologjinë, Neurologjinë dhe Mjekimin Intensiv Qendror, ndërkohë që po planifikojmë të hapim edhe ndonjë repart ose klinikë tjetër, për shkak të rritjes së madhe të numrit të rasteve që po vijnë në QKUK, dhe jemi në riorganizim të ambulancave të pranimit”, ka thënë ai.

Krasniqi ka pohuar se mungesa e stafit mjekësor për trajtimin e të sëmurëve nga COVID-19 është një tjetër sfidë për sistemin shëndetësor të Kosovës.

“Ne kemi vështirësi shumë serioze sa i përket riorganizimit të personelit shëndetësor dhe po detyrohemi të marrim personel shëndetësor nga ato shërbime që janë reduktuar, si pasojë e situatës epidemiologjike me COVID-19. Mirëpo, nëse vazhdon ky trend i të infektuarve do të jemi përballë sfidave shumë, shumë serioze, sa i përket qoftë shtretërve, qoftë personelit mjekësor që do të jetë në dispozicion për trajtimin e këtyre pacientëve”, ka thënë ai.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës ka pohuar se as furnizimi me pajisje mbrojtëse për personelin e spitaleve COVID-19 nuk është i kënaqshëm. Ai ka thënë se planifikimi i furnizimeve me pajisje mbrojtëse ishte bërë për tre muaj.

“Planifikimet që kanë qenë në fillim të pandemisë kanë qenë për tre muaj, por pandemia po zgjat shumë më shumë. Edhe përkundër atyre planifikimeve, numri i rasteve është rritur jashtëzakonisht shumë dhe ka qenë e pamundur që gjatë gjithë kohës, në vazhdimësi, të përcillet ky numër me të gjitha nevojat që duhen”, ka thënë Krasniqi. (r.m.)

Comment

*