Krasniqi: PDK do ta përkrahë Demarkacionin pa asnjë kusht

Prishtinë, 23 shkurt 2018 – Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se dallimet mes LDK-së dhe AAK-së për Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi janë të vogla dhe ka shfaqur shpresën se deri të mërkurën do të arrihet një konsensus.

“Dallimet janë të vogla dhe marrëveshja mund të arrihet, sepse edhe ka disponim të tillë”, ka thënë Krasniqi për Gazetën “Metro”.

Ai ka thënë se PDK-ja nuk ka pasur asnjë vërejtje apo kërkesë për gjithë materien e demarkacionit.

“PDK mbetet në qëndrimin e saj se do ta përkrahë Demarkacionin pa asnjë kusht. Pra, ne do të jemi pjesë e unitetit në mënyrë që kjo çështje të përmbyllet”, ka deklaruar ai.

LDK dhe AAK kanë qëndrime kundërshtuese lidhur me përmbajtjen e Projektligjit për Demarkacionin.

LDK kërkon që në pakon e Projektligjit të mos përfshihet raporti i Komisionit të ri për Demarkacionin të krojuar nga kryeministri Ramush Haradinaj ose që në pako të përfshihen edhe raportet e Komisionit të kaluar për Demarkacionin, komisionit të ekspertëve që ishte krijuar nga ish-kryeministri Isa Mustafa dhe komisionit ndërkombëtar të krijuar nga ish Presidentja Atifete Jahjaga.

Ndërkaq, AAK-ja dhe kryeministri Haradinaj janë këmbëngulës që në pako me Projektligjin të votohet edhe raporti i Komisionit të ri për Demarkacionin, sipas të cilit me marrëveshjen që do të hidhet në votim Kosova humb territor.

Dy ditë më radhë, në kabinetin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, janë zhvilluar diskutime, të cilat nuk kanë rezultuar me përafrim qëndrimesh.

Vazhdimi i seancës për demarkacionin pritet të mbahet të mërkurën. (r.m.)

Comment

*