Krasniqi: Për rimëkëmbjen ekonomike të Kosovës duhen 700 milionë euro

Prishtinë, 11 maj 2020 – Ministria e Financave dhe Transfereve në Qeverinë e Kosovës në detyrë ka filluar përgatitjen e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike.

Për këtë çështje është paraparë të formohet edhe një komisioni, I cili parashihet të ketë partneritet me shoqatat, me odat ekonomike dhe me botën akademike.

Zëvendësministri i Financave dhe Trasnfereve, Agim Krasniqi, ka thënë se nevojitet një bashkërendim që Pakoja e Rimëkëmbjes Ekonomikë të jetë funksionale dhe në të mirë të bizneseve.

“Idetë e para për Pakon e Rimëkëmbjes Ekonomike janë përgatitur nga Ministria e Financave ku do të marrin pjesë edhe disa ministra të linjës. Janë të ftuar edhe përfaqësues të Odave dhe shoqatave dhe botës akademike”, ka thënë Krasniqi për Ekonomia Online.

“Jemi në përgatitje të komisionit, por nuk kemi diçka konkrete. Në kuptimin e përgatitjes po. Ministri i  ka idetë, por ato duhet të diskutohen me partnerët, në mënyrë që kjo pako të jetë funksionale dhet’u përgjigjet bizneseve, me mundësitë që i ka Kosova”, ka thënë ai.

Krasniqi ka thënë se për këtë nevojitet edhe ndryshimi i bazës ligjore për menaxhim të financave publike, në mënyrë që Qeveria të marrë kredi dhe letra me vlerë.

Ai ka thënë se gjatë këtij viti priten deri 200 milionë euro më pak të hyra, prandaj është i nevojshëm një ”injeksion”, në mënyrë që të sigurohen 700 milionë euro për rimëkëmbjen ekonomike të vendit.

“Mund të presim rreth 200 milionë euro më pak, në pjesën e të hyrave, por kur pako të përgatitet do të shihet sa mjete duhet të sigurojë Qeveria prej kredimarrjes dhe burimeve tjera, siç janë letrat me vlerë”. Ka shpjeguar ai

“Kjo kërkon që të bëhen edhe disa rregullime në bazën ligjore, kryesisht në Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike, për të lejuar që Qeveria e Kosovës të thyejë rregullin për deficitin buxhetor, për bilancin bankar dhe pjesën e kredimarrjes. Këto elemente Qeveria duhet t’i koordinojë me Kuvendin. Deri atëherë, Qeveria mund të marrë masa dhe ta përgatisë planin”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka thënë se Pakoja e Rimëkëmbjes Ekonomike do të ketë prioritet prodhimin dhe fushat që kanë kapacitet, përfshirë bujqësinë, ndërsa fokusi kryesor i pakos do të jetë ndryshimi i bilancit tregtar dhe të pagesave.

“Prioritet duhet t’I jepet prodhimit, fushave ku kemi kapacitete, sikur IT, apo edhe në sektorin e bujqësisë. Fokusi duhet të jetë te bimët industriale dhe të produkteve tjera që mund je jenë më ekonomike, në mënyrë që të pergatitemi edhe për një ndryshim të bilancit të pagesave dhe të bilancit tregtar”, ka thënë zëvendës-ministri I Financave dhe Transfereve, Agim Krasniqi. (r.m.)

 

Comment

*