Krasniqi: Rugova kishte kontakte sekrete me UÇK-në

Prishtinë, 8 tetor 2017 – Shkrimtari Milazim Krasniqi,  në librin e tij “Sekretet që nuk i mori me vete Ibrahim Rugova”, shkruan edhe për kontaktet sekrete të Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, me përfaqësues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Sipas Krasniqit, i cili ka qenë afër Presidentit Rugova, në Shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës e pastaj në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), tregon se Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, i kishtë vënë kontaktet e para të drejtpërdrejta me UÇK-në në janar të vitit 1999.

Krasniqi tregon se ai kishte qenë i deleguar i Rugovës në takimin e parë me përfaqësues të UÇK-së.

Ky takim ishte realizuar në Shtabin e UÇK-së, në Berishë, ku i kishte pritur Shefi i Shtabit, Bislim Zyrapi.

Në takim, i cili ishte ndërmjetësuar nga Qazim Thaçi, kishte marrë pjesë edhe tashmë i ndjeri Faruk Spahia, atëherë kryetar i degës së LDK-së në Mitrovicë dhe anëtar i Kryesisë qendrore të kësaj partie.

“Unë e pranova propozimin, por i kërkova që me mua të vinte Faruk Spahija, i cili ishte anëtar i Kryesisë së LDK-së dhe një nga njerëzit që edhe Rugova e konsideronte korrekt. Ai u pajtua me propozimin tim dhe unë e organizova shkuarjen, me ndërmjetësimin e Qazim Thaçit, me logjistikën e Osman Qerretit (Komandant Çunit) dhe biseduam me Shefin e Shtabit Operativ të UÇK-së, Bislim Zyrapin, në Shtabin e tij, në Berishë”, shkruan Krasniqi, në faqen 50 të librit  “Sekretet që nuk i mori me vete Ibrahim Rugova”.

“Pasi e kaluam një natë në një shtëpi, me një grup ushtarësh të UÇK-së e ku biseduam gjerësisht për preokupimet e tyre, u kthyem në Prishtinë dhe po atë ditë i raportuam Presidentit Rugova, në shtëpinë e tij, në Velani”, shkruan më tej Krasniqi.

Ky është vetëm një episod i librit të Krasniqit, i cili është një përpjekje për potretimin e Ibrahim Rugovës si shkrimtar, si humanist, si lider politik dhe si burrështeti. Librin e përshkon edhe fryma e analizës së qëndrimeve personale të Rugovës ndaj aspiratës së popullit të Kosovës për Liri, Pavarësi e Demokraci, si edhe të sjelljeve dhe veprimeve të Rugovës, të cilat shpesh nuk janë kuptuar në esencën e tyre ose janë shtrembëruar e keqinterpretuar nga të tjerët, me apo pa dashje. (r.m.)

Comment

*