Kritikët e Lëvizjes BESA janë promotorët më të mirë të saj

Ruben Avxhiu

Ruben Avxhiu

Bumerangu është një objekt që ka një formë të tillë që kur e gjuan në ajër, bën një rrotullim dhe të kthehet përsëri drejt teje me forcë. Kjo sjellje e përcaktuar nga ligjet e fizikës është arsyeja që sot e përdorim si shprehje figurative.
M’u kujtua përsëri duke lexuar sulmet dhe akuzat për Lëvizjen BESA si lëvizje islamiste, fondamentaliste, e paguar nga Erdogani etj. Nuk kam informacionin e duhur për të gjykuar nëse këto sulme bazohen apo jo te e vërteta se nuk e njoh Lëvizjen në fjalë. Por i marr të mirëqena. Po e konsideroj se BESA vërtet i ka këto karakteristika për të cilat akuzohet.
Akuza të tilla bëhen me arsyetimin se nëse votuesit shqiptarë e kuptojnë sesa fetariste është kjo lëvizje, ata nuk do të votojnë për të.
Po ky është një gjykim që përbuz pikëpamjen tjetër se shqiptarët sot janë shumë më fetarë e shumë më pak tolerantë sesa miti që i ka bërë të famshëm në histori. Akuzuesit e “Besës” gjithashtu mund të mos llogarisin përmasën e votës së protestës; një lloj vote që shpesh u rrëshqet anketimeve siç është provuar mjaft herë. Nëse një lëvizje fetare nervozon pushtetarët që shihen me inat, atëhere për një lëvizje fetare do të votohet.
Ironia këtu është se nuk mund t’u thuash kritikëve të futjes së fesë në politikë se nuk duhet të flasin kundër saj. Nëse nuk flasin do të tradhëtojnë në sytë e historisë detyrën dhe përgjegjësinë e tyre në shoqëri. Nga ana tjetër, me kritikën e tyre mund të jenë duke ndihmuar pikërisht atë që përpiqen të pengojnë. Duket konfuze? Nuk është edhe aq.
Shikoni sa interesante është dilema. Ka në trojet shqiptare, po sidomos në Maqedoni, një potencial të madh për votë fetare. Shumë shqiptarë, sidomos të rinj, i janë kthyer besimit mysliman me shumë përkushtim. Ky përkushtim shqetëson shumicën e shqiptarëve të tjerë për tri arsye: e lidhin këtë kthim te feja me dukurinë e terrorizmit, me përçarjen kombëtare, dhe me largimin nga Perëndimi. Po myslimanët e rinj janë të pakënaqur nga shoqëria e sotme ku jetojnë sepse ndryshe nga çfarë shkrova më lart, për ta është e qartë se terrorizmi nuk ka lidhje me Islamin, por ia veshin atij, se kombin po e përçajnë ata që diskriminojnë në bazë feje dhe se Perëndimi po u largohet shqiptarëve për arsyet e veta dhe jo për shkak të fesë. Pra, të dy palët jetojnë në dy botë të ndryshme dhe pikëpamjet e njërës janë kokëposhtë në sytë e tjetrës.
Tani myslimanët e rinj do të votonin me shumë dëshirë masivisht për një parti fetare dhe e bërë shumë të fortë në një elektorat të copëzuar. Mirëpo dilema është se nëse një parti del hapur si parti islamiste, ajo mund të mos lejohet të konkurrojë, ose edhe nëse ia del të zyrtarizohet vetë besimtarët do ta përbuzin si përpjekje për të përfituar nga besimi i tyre. Të paktën në disa raste në Shqipëri e Kosovë, parti që dolën hapur si parti islamiste apo kristiane, u shpërfillën gjerësisht nga besimtarët përkatës.
Magjia qendron në sjelljen që nuk e shpreh hapur ftesën, fishkëllimën, apo sinjalin ndaj besimtarëve. “Mishi të piqet, po helli të mos digjet”. Nëse është “Besa” vërtet islamiste apo jo ka pak rëndësi për momentin sa kohë që ajo merr votat e besimtarëve që kanë humbur besimin te partitë e tjera politike.
Nëse “Besa” do të dilte dhe do të thoshte votoni për ne se ne përfaqësojmë Islamin, apo myslimanët etj. Ata do të injoroheshin nga besimtarët. Mirëpo, nëse një kor kritikësh e politikanësh, sidomos mes atyre që kanë kritikuar edhe radikalizimin e rinisë myslimane, rikthehet për të denoncuar “Besën” si islamiste, erdoganiste, antikombëtare, përçarëse etj, kjo menjëherë zgjon interesin e votuesit të ri besimtar.
Nuk është se këta papritur shohin te Lëvizja një parti që ndoshta mund të jetë fetare. Ajo që ndodh në fakt është se ata papritur identifikohen me të, sepse u duket se po sulmohet në mënyrë të ngjashme, ashtu si janë sulmuar ata vetë, nga po këta njerëz. Në këtë mënyrë, “Besa” pa qenë nevoja që në mënyrë të drejtpërdrejtë t’u bëjë presion besimtarëve me fetarizmin e saj, në mënyrë të tërthortë mobilizon kundërshtarët e saj që t’ia bëjnë punën.
Këto “vota myslimane” nuk do t’i shkojnë “Besës” sepse është “islamiste” (dhe mbase është po kjo nuk ka rëndësi); ato do t’i shkojnë nga inati i vjetër me këta kritikues, të cilët në sytë e të rinjve myslimanë janë thjesht islamofobë, komunistë, apo injorantë të Islamit.
Kjo mbase tingëllon e papranueshme për ata që kritikojnë “Besën”, sepse ata e shohin veten shpëtimtarë të kombit, po synimi nuk ka rëndësi. Efekti ka. Dhe efekti nuk është ai që kanë menduar kritikuesit.
Shumë nga kritikat kundër Besës nuk kanë asgjë për t’u sharë, mirëpo këtu vijmë te tema që njeriu nuk voton me mendje, po me zemër. Vota është instiktive dhe argumentet më të mira janë të destinuara të dështojnë përballë kundërshtarëve të lashtë si mllefi, pasiguria, frika, inati, dashuria, malli, besnikëria, lidhja familjare, ndjenja e padrejtësisë, zilia etj. Kutia e votës është vendi ku arsyeja dhe llogjika, këto dy perëndi që e kanë udhëhequr njeriun drejt zhvillimit, nga shpellat kafshërore te fluturimet kozmike dhe zbulimet mikroskopike, thyjnë hundët nga ajo që e quajmë nganjëherë “bota e brendshme”.
E di që për shumë intelektualë të shekullit 21 është e papranueshme që njeriu të marrë vendime të jashtëzakonshme për jetën duke u bazuar në instikt dhe jo në arsye. Po ky është një konflikt shumë më i madh dhe universal sesa gara gati banale e politikës në Maqedoni e trojet shqiptare të saj.
Nuk dihet në fund të fundit, sesa e madhe është kjo “votë besimtare” apo më gjerësisht kjo “votë e protestës” mes shqiptarëve të Maqedonisë. Në shumë vende, faktorë të tjerë, që përmendëm më lart: si frika, lidhjet familjare etj do të përplasen me ndjenjën e solidaritetit, padrejtësisë dhe ngjashmërisë, duke e luftuar “Rilindjen e Besës” me mjetet që e forcojnë atë. Vetë “Besa”, pavarësisht nga ky shtjellim më lart, për instiktet, ka kryer punën e saj në planin intelektual. Përfshi edhe një program interesant për zhvillim turizmi dhe ekonomie sipas një përvoje sllovene (në vend të fjala vjen përvojës gjithashtu të suksesshme turke – pra ngjashmëria klimatike dhe ballkanike ka pasur përparësi mbi atë bashkëfetare apo “erdoganiste). Këtë e përmend jo se detyrimisht e bën Besën superiore apo inferiore në nivel ekspertize apo për të hedhur poshtë apo provuar kritikat ndaj saj, por për të treguar edhe njëherë se realiteti nuk është kurrë aq bardhezi sa duket nga retorikat e fushatës.
Në fund, shqiptarët mund të vendosin që të shpërfillin Besën dhe çdo parti të re siç kanë bërë në vite, ose të votojnë në masë për të. Po ironia në këtë proces që më shtyu të shkruaj është se kritikët e saj kanë kontribuar më shumë për të dytën. Dhe jo, nuk kam asnjë këshillë këtu e as nuk është ky shkrim një paralajmërim. Nuk më takon t’u them kritikëve, sidomos atyre të sinqertëve dhe të llogjikshëm që të mos ta kritikojnë “Besën”; kritika është përgjegjësi që nuk duhet shmangur. As nuk mund të them nëse “Besa” është ajo që pretendon se është, apo ajo që e përshkruajnë kundërshtarët. Por, konstatimi se kritika po shkakton efektin e kundërt të qëllimit të saj është e qartë për mua.
Ndoshta kritikët nisen nga më e mira, për t’i shërbyer kombit e qytetarisë, apo më e keqja për të ruajtur vendet në pushtet, po e vërteta është se ata kanë bërë që kjo parti të fitojë një vëmendje publike, që nuk do ta kishte fituar kurrë thjesht me deklaratat, konventat e programet e fushatës së saj. E bashkë me vëmendjen edhe disa votues më shumë. Një dukuri që tashmë e kemi parë shumëkund e nga e cila nuk mund të kemi imunitet.

Comment

*