Kronika e rëndë e ditës…

Trashgim Sokolaj*

Brenda një ditë, një bilanc i frikshëm. Pa zbardhur mirë, një i dënuar për drogë në Itali vritet me 14 plumba në Rrogozhinë.

Në mbrëmje një akt terrorist ekzekutohet në një nga akset kryesore në Tiranë ku një makinë shpërthen dhe plagos rëndë një person të skeduar të policisë dhe një kalimtar italian pa asnjë lidhje me ngjarjen.

Në të njëjtën kohë, një grua vritet nga ish-kunati i saj pas konfliktit mëse 3 -vjeçar me autorin lidhur me pronësinë e banesës ku viktima vazhdonte të jetonte edhe pas ndarjes nga ish burri emigrant në Greqi.

Në të tri ngjarjet, viktimat dhe të dëmtuarit, janë targete të policisë: viktima e atentatit në Rrogozhinë i dënuar në Itali, madje i vëzhguar për disa ditë nga autorët deri pranë banesës…

Drejtuesi i makinës që shpërtheu në zonën e “Vasil Shantos” i skeduar në të paktën një ngjarje të rëndë në Rreshën, i shoqëruar e përgjuar disa herë nga policia, i lënë i lirë për mungesë provash por gjithnjë me kartele te kuqe si i dyshuar.

Gruaja e vrarë nga kunati në një konflikt 3-vjecar për të cilin agjenti i zonës, apo siç i thonë “i plotfuqishmi” duhej të ishte në dijeni….

Në të tri rastet, dikush nga ky shtet duhej të ishte aty, diçka duhej parandaluar, dicka duhej nuhatur para se të ndodhte…

Shqiptarët po lajnë hesapet, policia nuk po i ndalon, gjykatat nuk kanë cfarë të gjykojnë!

Edhe dicka për fund: Cfarë mesazhi merr krimi, por edhe policia, si interpretohet atje poshtë në bazën e shtetit por edhe ne strofkullat e kthinat e krimit sjellja e një ministri që ende nuk e ka ndarë mendjen cfarë do bëjë së paku me përgjegjesitë publike:

Nga Vlora deklaron si i trembur se nuk do të jetë më në detyrë, e nga Shkodra kthen pllakën gjithe guxim duke na treguar se është penduar dhe e ka ndarë mendjen të qëndrojë edhe ca në karrigen e ministrit?! Besa Shahini e tha dhe iku të paktën….!

*Redaktor i Departamentit të Lajmeve në RTV Ora dhe Ora News

Comment

*