Kryemadhi: Nuk ka kthim mbrapa, opozita nuk do të jetë dekor në Parlament

Tiranë, 4 tetor 2018 – Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), Monika Kryemadhi, ka thënë se opozita nuk mund të jetë më dekor në Kuvendin e Shqipërisë.

“Tashmë lëvizja dhe aksioni politik nuk ka më kthim mbrapa. Pozicionimi ynë është ndarja me atë Parlament që nuk është gjë tjetër, por vetëm një foltore e kriminelëve dhe e dhunuesve dhe nuk ofron më asgjë tjetër përveç se i ofron opozitës për të qenë një dekor dhe një normalitet për Edi Ramën dhe bandat e tij”, ka thënë ajo në një takim me strukturat e partisë, në Përrenjas.

“Shteti duhet shpëtuar sot, më shumë se çdo ditë tjetër. Nesër do të jetë shumë vonë. Nuk do të jetë vonë as për ne, as për Edi Ramën, por do të jetë vonë për fëmijët e shqiptarëve, të cilët sot ndihen më të rrezikuar se çdo ditë tjetër”, ka theksuar ajp.

Kryemadhi i ka sulmuar ashpër organet e rendit e të drejdësisë.

“Rasti i Xhisiela Malokut i bëri të qartë edhe qytetarit më të fundit se Policia jo vetëm që nuk e zbulon krimin, por e mbulon atë. Prokuroria jo vetëm që nuk e zgjidh problem apo nuk e dënon krimin, por e mbulon Policinë që e mbulon krimin”, ka theksuar ajo, transmeton Ora News.tv.

Kryetarja e LSI-së e ka akuzuar rëndë sidomos Kryeministrin Edi Rama.

“Nëse e informon shtetin për një kriminel, dhunohesh ti , dënohesh ti dhe nuk dënohet krimineli. Në fakt Edi Rama është i sinqertë vetëm kur gënjen. Sinqeriteti i tij merr notën maksimale në delirin e madhështisë së gënjeshtrës së tij. Standardi i vetëm i Edi Ramës është alibia për çdo lloj krimi dhe llumi, qoftë ky përdhunim, krim, trafik droge dhe çdo gjë tjetër. Ky është standardi që ka vendosur në fakt Edi Rama për Elvis Rroshin, Agron Xhafajn dhe së fundmi për përdhunuesin e Fushë-Krujës e plot e plot të tjerë kryetarë bashkie, ministra apo drejtorë”, ka thënë Kryemadhi.

“Të shkosh në dyert e shtetit sot, është njëlloj si të shkosh dhe të dorëzohesh në gojën e ujkut. Shteti të rreh, të vret dhe të varros për së gjalli. Ky është shteti i Edi Ramës”, ka theksuar ajo.

(r.m.)

Comment

*