Kryeministre Bërnabiq, fati është në njohjen e Kosovës

Snezhana Çongradin

Kosova mbrohet me njohjen e pavarësisë, me qëndrim negativ ndaj politikës së krimeve të luftës – ndjekjes shumëvjeçare dhe vrasjes së shqiptarëve të Kosovës, duke kërkuar siguri për të gjithë…

… dhe jo vetëm për pakicën serbe (sepse të gjithë jemi njerëz dhe jo jashtëqitje), si edhe duke ia shtrirë dorën e bashkëpunimit kulturor e ekonomik, me bashkëndjenjë të sinqertë. Sepse, kush më mirë mund ta ngushëllojë viktimën, atë në anën tjetër, se sa i penduari, ai të cilit i vjen keq sinqerisht që në një moment ka qenë në rolin e xhelatit. Kështu do të jepte shembull dhe do ta shtynte pikërisht atë tjetrin që të përballojë ligësitë e veta dhe të ketë mirëkuptim dhe empati për pasojat e fatkeqësive të tij.

Kështu, besoj, edukohen fëmijët, kështu sillen njerëzit e sjellshëm, ata që nuk mund të jetojnë ndryshe. Këto janë tipare që shprehen vetëvetiu, nuk varen nga interesat konkrete, të cilat në të vërtetë vihen eksluzivisht në interes të ndjenjës së vetëkënaqësisë dhe të fatit. E gjitha që ka të bëjë me tjetrin.

Në përputhje me “kompleksitetin” e një qasjeje të tillë ndaj jetës, Kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiq, e cila konsiderohet si ajo pjesa dhe modeli i sjellshëm, i arsimuar dhe me shumë përvojë i garniturës në pushtet, lë përshtypjen e një personi që vepron me ndershmëri. Sinqerisht, në raport me kompleksitetin e detyrës që ka përpara – që qytetarët që i përfaqëson t’i çlirojë nga barra e krimeve të luftës që i kanë kryer në emër të tyre maskarenjtë dhe keqbërësit në të kaluarën jo shumë të largët, që publikisht dhe pa hezitim t’i gjykojë të gjithë individët që kanë përfituar materialisht dhe privilegje nga turpi më i madh dhe fatkeqësia që ia kanë shkaktuar popullit, në krye të të cilit ajo është vënë vullnetarisht, me kënaqësi dhe me krenari.

“Ambasadori Scott e di, ka qenë i pranishëm në takimet e mia me disa zyrtarë të tjerë amerikanë, kur unë kam reaguar në disa raste se në qoftë se dëgjoj që dikush e quan shtet Kosovën në mbledhjet e Qeverisë së Serbisë se ajo mbledhje do të ndërpritet menjëherë dhe ata do të luten të largohen nga Qeveria e Serbisë. Pra, ambasadori Scott, i cili mund t’ua vërtetojë se ka qenë i pranishëm në ato takime, megjithatë vjen në Qeverinë e Serbisë dhe e thotë këtë. Kjo është krejtësisht e pashembullt”, ka thënë kryeministrja e Serbisë, duke reaguar ndaj deklaratës me gjasë më triviale të një diplomati të huaj në vitin e papërfillshëm e të largët 2018… në vitin në të cilin zgjidhet çështja e Kosovës, arrihet pajtimi dhe normalizimi me shqiptarët e Kosovës, me njerëzit e rëndomtë që kanë pasur fatin e keq të jetojnë në Kosovë gjatë qeverisjes së prijësve të politikës së krimeve të luftës të Slobodan Millosheviqit. Ajo politikë ua ka shuar jetët dhjetë mijë shqiptarëve të Kosovës dhe në çast i ka dëbuar madje 800.000 të tjerë. Vetëm imagjinoni, imagjinoni këto shifra, shndërroni në njerëz, pastaj pjestonie sasinë e fatkeqësive për kokë të banorit dhe prapë dëgjonie çfarë thotë kryeministrja juaj. A ju vjen turp, a ju vjen keq për botën tuaj që beson verbërisht dhe ndjen kënaqësi kur ajo i vesh me gjëra të tilla dhe i zhyt gjithnjë e më thellë në lloçin e pasigurisë, josigurisë, vërfërisë dhe sëmundjes vetjake.

Kështu në të vërtetë veprohet kur e ke prioritet mbetjen në pushtet, dhe atë jo aq shumë të vetes suaj por mbetjen në pushtet të sundimtarit tënd, sundimtarit të popullit tënd, në shërbim të të cilit je vënë, pothuaj religjioz, përnga mënyra si e bën këtë. Askush nuk do të të shpëtojë në qoftë se ai të sulmon dhe i zbulon të gjitha ato privilegje që ai t’i ka mundësuar t’i gëzosh. Prandaj, luksi i jetës së tij është identik dhe në mënyrë direkte i varur nga luksi yt. Pas teje do të jetë edhe më tutje Aleksandar Vuçiqi, kjo është gjëja e vetme e sigurtë. Këto zbulime është e mundur se e vënë në lajthitje shpirtin, se e frikësojnë aq shumë ose e vënë në hije, sa kryeministrja e Serbisë njëmend do të neveritej thellësisht nga mënyra se si po e luan rolin e saj në krye të Qeverisë së Serbisë, në qoftë se do ta vështronte veten nga e kaluara e saj dhe nga ndonjë pozitë tjetër. Por, ky është një aspekt krejtësisht i parëndësishëm. E rëndësishme është që asaj nuk i vjen turp të sillet kështu ndaj krimeve të luftës dhe vuajtjeve më të mëdha në tokën e Evropës pas Gjermanisë naciste dhe Luftës së Dytë Botërore, nga pozicioni i më përgjegjëses jo vetëm në këtë moment të historisë nacionale, por në momentin kur është e mundur tronditja, revolucioni dhe kthesa që do të përcaktojë thellësisht të ardhmen e fëmijëve tanë, në çdo pikëpamje. Nga ajo e vlerave kulturore, shoqërore e sociale e deri te ajo ekonomike dhe te ajo që e shpëton njeriun nga skllavëria e sistemit të egër kapitalist të lidhur me shtetin e të ashtuajturës botë e tretë. Ashpërsia ndaj popujve tjerë, në esencë, është shprehje e mungesës së dhembshurisë dhe njerëzisë ndaj vetëvetes, e cila shihet qartë në një trajtë tjetër. Lënia në duart e fatit të të varfërve që rrëzbiten edhe më shumë dhe u dorëzohen makinave më të egra kapitaliste me buzëqeshje në fytyrë dhe me bindjen se këto janë akte me interes për publikun.

 

* Marrë nga gazeta serbe “Danas”. Titulli i origjinalit: “Premijerko, sreća je u priznanju” (Kryeministre, fati është në njohje)

Linku i publikimit: https://www.danas.rs/kolumna/snezana-congradin/premijerko-sreca-je-u-priznanju/

Comment

*