KM Rama kujton 195-vjetorin e vdekjes së Luanit të Janinës, Ali Pashë Tepelena

Kryeministri Edi Rama ka përkujtuar në rubrikën e tij në Facebook Amarcord, 195-vjetorin e ndarjes nga jeta të Ali Pashë Tepelenës

“AMARCORD

195 vjet më parë jepte shpirt, jo në shtrat por duke luftuar, Ali Pashë Tepelena, Luani i Janinës.

Si personalitet historik, Ali Pasha është ndoshta nga të rrallët që përgënjeshtron postulatin e gjithpranuar se historia u jep të drejtë fitimtarëve.

Zjarri që ndezi gjeniu gjakësor i vezirit të Toskërisë, e shkrumboi aq keq rretherrotull pushtetin e establishmentit osman, sa në letrat e shkëmbimeve diplomatike, ai cilësohej si “plaga më e tmerrshme e perandorisë”.

Revolucioni grek, revoltat në Bullgari dhe në principatat danubiane që përfunduan të tëra me mëvetësinë e atyre kombeve, i detyrohen jo pak Ali Pashës në përgatitjen e tyre sociale, ushtarake e shpirtërore.

Shumë i detyrohet Ali Pashës edhe ndërgjegjësimi i krerëve shqiptarë, të cilët gjatë mesit të parë të shek. XIX, filluan ta konceptonin përfshirjen në çështjet kombëtare, siç e thotë bukur mirë studiuesi Dritan Egro, “përtej interesit të çifligjeve të tyre”.

Figura e Pashait që tronditi Portën e Lartë mbetet padyshim një nga figurat më të diskutueshme të historisë sonë, por çka nuk është diskutuar as nga detraktorët e tij më të mëdhenj, është gjenialiteti i këtij kryeneçi të madh shqiptar”, shkruan Kryeministri Rama.

One Response to “KM Rama kujton 195-vjetorin e vdekjes së Luanit të Janinës, Ali Pashë Tepelena”

Read below or add a comment...

  1. Thanas L. Gjika says:

    Ali Pashë Tepelena mund të përkufizohet thjesht me shprehjen tonë popullore “I miri i botës, i keqi i shtëpisë”. Hapi dy gjimnaze në Janinë, një turqisht e një greqisht, por asnjë shkollë fillore shqip. Sundoi 40 vjet e nuk i shkoi mendja për të shkruar gjuhën e popullit të vet. Nuk iu përgjigj ftesave të diplomatëve anglezë që i sugjeruan bashkimin dhe clirimin e territoreve shqiptare të të dy pashallëqeve (të Janinës e të Shkodrës), por u mjaftua me të qenit sundimtar i një pashallëku osman. Mentaliteti i tij ishte mentaliteti i një pashai në shërbim të sulltanit, prandaj i shkatëroi e i nënështroi gjithë territoret e lira shqiptare për t’i bërë qejfin sulltanit e për të marrë sa më shumë fitime për vete. Bëmat e tij nuk kanë të bëjnë me gjenialitetin, gjenialiteti shpie drejt lirisë, kurse Aliu u kujtua të luante kartën e lirisë e të luftës kundër sulltanit vetëm kur ishte 80 vjecar, kur sulltani e shpalli armik dhe e sulmoi. Tërë jetën luftoi për lavdi, pushtet dhe pasuri personale…

Comment

*