Kryeministri Rama do ta mbajë edhe postin e ministrit të Jashtëm

Tiranë, 14 janar 2019 – Konfirmohet se Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do ta ushtrojë edhe detyrën e shefit të diplomacisë së vendit, në mungesë të një ministri të Jashtëm.

Këtë e ka bërë të ditur vetë Rama, përmes një postimi në rrjetin social Twitter.

Ai ka treguar se i ka marrë edhe përgjegjësitë e ministrit të Jashtëm dhe e ka kritikuar Presidentin e vendit, Ilir Meta.

“Presidenti e ka çdekretuar Ministrin e Jashtëm në afatin kushtetues. Shkelje e radhës që do ta ballafaqojmë bashkë me të tjerat në Gjykatën e re Kushtetuese. Deri atë ditë që vjen shumë shpejt, do të jem de jure në këtë rol, sepse s’kemi kohë për të humbur në kërkim të Presidentit”, shkruan Rama në Twitter.

Vendimi i kryeministrit shqiptar është marrë pas mbledhjes së Kryesisë së Partisë Socialiste, ku janë  diskutuar hapat e ardhshëm për të zgjidhur ngërçin mes Qeverisë dhe Presidentit.

Meta dhe Rama përplasen për ministrin e emëruar, Gent Cakaj. Meta ka refuzuar të dekretojë Cakajn.

“Profili i zotit Genti Cakaj, i propozuar për postin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, ka mungesë të qartë të përvojës politike, diplomatike, administrative, shtetërore, në secilin element dhe në tërësi”, ka vlerësuar Meta, në një letër drejtuar kryeministrit Rama.

Partia Socvialiste do ta dërgojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese, e cila do të shprehet vetëm kur të mund të bëhet funksionale, çështje që do të marrë kohë.

Gjykata Kushtetuese në Shqipëri është jashtë funksionit dhe e mbyllur përkohësisht pasi nga nëntë anëtarët e saj, tre janë dorëhequr ose kanë mbaruar mandatet, katër janë rrëzuar në procesin e vetingut dhe vetëm dy kanë mbijetuar.

Kryeministri Rama, me vendimin për ta ushtruar detyrën e ministrit të Jashtëm, e ndjek shembullin e Kryeministrit greg, Alexander Tsipras.

Tsipras, krahas pozitës së kryeministrit, e mban edhe pozitën e ministrit të Jashtëm, prej se ka dhënë dorëheqje ish-ministri i Jashtëm, Nikos Kotzias. (r.m.)

Comment

*