Kryeparlamentarja Osmani: Serbia po spastron etnikisht Luginën e Preshevës

Prishtinë, 11 maj 2020 – Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, e akuzon Serbinë se po kryen  spastrim të heshtur etnik të shqiptarëve në Medvegjë, Preshevë dhe Bujanoc.

Osmani, në një postim në Facebook, shkruan se autoritetet serbe, në katër vjetët e fundit, i kanë pasivizuar adresat mbi 4,000 shqiptarëve të Medvegjës në regjistrin civi.

Ajo thekson se ky veprim është vërejtur edhe në dy komunat tjera me shumicë shqiptare, në Bujanoc dhe në Preshevë.

“Përmes ‘pasivizimit të adresave’ të vendbanimit, shteti serb bën largimin përfundimtar të shqiptarëve nga regjistri civil i Serbisë, duke ua pamundësuar marrjen e dokumenteve të reja, të drejtën e qasjes në shërbime mjekësore ose asistencë sociale, e madje edhe i largon nga lista e votuesve, që u pamundëson pjesëmarrjen në zgjedhje”, shkruan Osmani.

Ajo kërkon nga institucionet e Kosovës që të mos heshtin ndaj këtyre veprimeve të Serbisë, e cila, siç shkruan ajo, aktivisht angazhohet për spastrim etnik, prandaj nuk e meriton anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Çështja e pasivizimit të adresave të banimit të shqiptarëve në Luginën e Preshevës ishte diskutuar në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, në muajin korrik të vitit të kaluar. (r.m.)

 

Comment

*