Kryetarët e qendrave të VV, pro kthimit në kryesi të të dorëhequrve

Prishtinë, 7 janar 2018 – Kryetarët e qendrave të Lëvizjes Vetëvendosje e kanë mbështetur kërkesën e kryesisë së partisë që të dorëhequrit të rikthehen në kryesi për të zgjidhur problemet brendapartiake.

Vetëvendosje, përmes një postimi në Facebook, bën të ditur se kjo kërkesë është mbështetur në mbledhjen e kryetarëve të qendrave, të cilën e ka drejtuar ushtruesi i detyrës së sekretarit organizativ të Vetëvendosjes, Ismajl Kurteshi.

“Kryetarët e qendrave u njoftuan me kërkesën e kryesisë drejtuar anëtarëve të dorëhequr që të kthehen në kryesi dhe të diskutojmë për të gjitha problemet. Ata e përkrahën kërkesën e kryesisë drejtuar anëtarëve të dorëhequr por kërkuan që zgjidhja e problemeve të bazohet në statutin e Lëvizjes Vetëvendosje”, thuhet në postim.

Në këtë mbledhje është diskutuar edhe për iniciativën e 43 deputetëve të PAN-it për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.

Kryetarët e qendrave kanë qenë të mendimit se qëndrimi i Lëvizjes në lidhje me këtë çështje ka qenë i drejtë, sepse iniciativa për shfuqizimin e ligjit ka qenë “e papërgatitur dhe e pasinqertë” dhe se ajo “prirej prej interesave personale e jo atyre kombëtare e shtetërore”.

Në mbledhje kanë marrë pjesë 27 përfaqësues të qendrave, në mesin e tyre edhe tre përfaqësues të qendrave nga diaspora: Verim Mejzini nga Austria, Bekim Halimi nga Britania e Madhe dhe Mujë Shala nga Zvicra. (r.m.)

Comment

*