Kryetari i Apelit: Kemi problem me lëndët e korrupsionit

Prishtinë, 13 korrik 2018 – Kryetari i Gjykatës së Apelit të Kosovës, Hasan Shala, sot prezantoi para mediave punën gjashtë mujore të gjykatës që ai e udhëheq.

Shala e vlerësoi si të arritur numrin e lëndëve të zgjidhura, por theksoi se nuk është i kënaqur me punën e gjykatave më të ulëta. Ai ishte sidomos kritik ndaj politikës së ndëshkimeve në rastet e korrupsionit.

“Kemi problem te rastet e korrupsionit, sepse po jepen dënime me kusht edhe kur një person akuzohet për 100 mijë apo për më shumë euro keqpërdorim dhe kjo është shumë keq sepse kur të vërteton gjykata se ka vepër penale atëherë duhet të japë dënimin meritor”, tha Shala, citon Kallco.com.

I pari i Apelit ishte më kritik ndaj disa praktikave të përfaqësimit të aktakuzave nga prokurorët.

“Kemi vërejtje për shkak se akuzat të cilat ushtrohen në gjykatë, po më duket se nuk po munden me i argumentua prokurorët e arsyeja është se po ju mungon profesionalizmi mirëpo e kam vërejt edhe një gjë tjetër. Prokurorët që i bëjnë hetimet, rrallë herë ndodhë që ta mbrojnë atë aktakuzë. Kur një prokuror e merr një lëndë një ose dy ditë përpara assesi nuk ka me mundur me qenë në gjendje me mbrojtë atë aktakuzë”, tha ai.

Kryetari i Gjykatës së Apelit  tha se ndonëse janë kryer të gjitha lëndët e shënjestruara për liberalizim të vizave, sfidë e gjykatës që e drejton mbeten lëndët e natyrës civile.

“Shumica e lëndëve të pazgjidhura janë të natyrës civile. Tani janë zgjidhur lëndët e vitit 2013 dhe kemi filluar me lëndët e vitit 2014. Në Departamentin civil janë 17 gjyqtarë, por duhen të jenë të paktën 30 gjyqtarë për të zgjidhur lëndët më shpejt”,tha Shala.

Ai bëri të ditur se Gjykata e Apelit e ka filluar vitin 2018 me 12,576 lëndë të trashëguara nga viti paraprak, ndërsa në gjashtë mujorin e parë të vitit 2018 i ka pranuar edhe 7,012 lëndë të tjera.

“6.410 lëndë janë zgjidhur në këta 6 muaj  apo 91% e lëndëve të pranuara. Kjo  tregon se  janë zgjidhur 572 lëndë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar apo 91 % e lëndëve të pranuara”, tha Shala.

Ai tha se Gjykata e Apelit ka arritur sukses edhe në zgjidhjen e rasteve të korrupsionit dhe shpjegoi se vitin 2018 e filluan me 18 lëndë të korrupsionit, ndërsa për 6 muajt e parë pranuan edhe 60 lëndë, për 55 prej të cilave kanë marrë epilog. (r.m.)

Comment

*