Kryetari i Drenasit ftohet për intervistim nga Prokuroria Speciale

Prishtinë, 8 nëntor 2019 – Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, është ftuar për intervistim nga Prokuroria Speciale për krime të luftës në Kosovë, me seli në Hagë.

Lladrovci, në një postim në Facebook, ka bërë të ditur se ai është ftuar në cilësinë e dëshmitarit dhe do të intervistohet më 19 dhjetor 2019.

“Valës së ftesave nga Dhomat e Specializuara iu bashkova edhe unë, në cilësi të dëshmitarit. Nuk kam informata as dijeni më shumë se sa shkruan në ftesë. Data e dhënies së dëshmisë është më 19 dhjetor 2019”, ka shkruar ai.

“Kurrë në jetë, as kam pasur hamendje as kam dilemë për drejtësinë e luftës tonë çlirimtare, rrugën e ndjekur deri në çlirim dhe për pastërtinë e saj shembullore. Përjetësisht krenar me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës!”, ka theksuar Lladrovci

Deri më tash, Prokuroria Speciale i ka ftuar për intervistim dhjetëra ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë edhe ish-drejtues të lartë që pas luftës kanë qenë drejtues e zyrtarë të lartë të partive politike dhe të institucioneve shtetërore të Kosovës.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, njoftoi të enjten se edhe ai është ftuar për intervistim në Prokurorinë Speciale.

Në juridiksionin e Gjykatë Speciale për krime të luftës janë krimet e kryera  në periudhën prej vitit 1998 deri në vitin 2000. (r.m.)

Comment

*