Kryetari i Gjykatës së Apelit, Sali Mekaj, dyshohet se ka marrë 20 mijë euro ryshfet

Prishtinë, 22 korrik 2015 – Prokurorja Speciale i ka kërkuar gjyqtarit të procedurës paraprake që Kryetari i Gjykatës së Apelit, Sali Mekaj, të mbahet në paraburgim.

Mekaj, është i dyshuar se për 20 mijë euro e ka negociuar lirimin nga procedurat penale të një të dyshuari për trafikim me drogë, shkruan “Koha Ditore”.

Sipas Prokurores Speciale, Drita Hajdari, Kryetari i shkallës më të lartë të gjyqësisë në Kosovë dyshohet se e ka bërë një marrëveshje të tillë me Vlora Goranin, e cila u arrestua po të hënën, nën dyshimet për dhënien e ryshfetit.

Gorani është gruaja e të dyshuarit për trafikim me drogë, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur.

Sali Mekaj u arrestua në zyrën e tij, pak minuta pas orës 16:00, kur shumica e stafit të Gjykatës së Apelit e kishte lëshuar objektin me të përfunduar orarin e punës, me urdhër të prokurores Hajdari.

Në qoftë se dyshimet rezultojnë të qëndrueshme, Mekaj do të akuzohet për veprat penale shpërdorim të pozitës zyrtare dhe për ushtrim të ndikimit, të cilat dënohen deri me 5 vjet burgim, sipas Kodit Penal të Kosovës. (r.m.)

Comment

*