Kujdestari i memories kosovare

Të gjitha këndet gjenden në fotot e tij. Të gjitha ngjyrat. Të gjitha tregimet që duhej kallxuar.

 

Ekziston një botëkuptim i famshëm, që pretendon se ka të drejtë, sipas të cilit popujt që nuk e njohin dhe nuk duan ta njohin kulturën e vet, janë barbarë.

Pak njerëz kanë bërë sa Hazir Reka për të lënë prapa material që mban të ngrira kujtimet nga peripecitë e luftës së Kosovës dhe vështirësitë e monotonisë para saj, energjinë e zhvillimeve e vrullin e jetës krahas dhimbjeve e thyerjeve pastaj, natyrën e shijen tonë si dhe paradokset që na kanë shoqëruar.

Dhe nëse raportimi në gazetari është i dënuar gjithmonë t’i nënshtrohet ‘provës’ së objektivitetit, fotografia është shumë e fuqishme për t’u përballur me këtë sfidim.

Fotografitë e Hazir Rekës janë aty. Janë gati një memorie kolektive e Kosovës siç ka qenë.

Të shumtë janë ata që e njohin dhe e kanë takuar njeriun që i ngjanë një kauboji – mesatarisht i shëndoshë, serioz, gjithmonë në vendin e ngjarjes, me dallimin e vetëm që në vend të revoleve në shokë ka mbajtur armët e tij tjera, kamerat fotografike.

Hazir Reka ishte student në Universitetin e Prishtinës në klasën e profesor Fadil Gacaferrit të cilin e kishte caktuar asistent pasi që kishte parë interesim dhe talent tek ai për fotografinë.

Gjatë asaj kohe, ai kishte marrë pjesë si demonstrues në protestat e studentëve më 1981, zhvillime që e kishin bindur atë për ndërlidhjen mes ngjarjes dhe kamerës – një herë e përgjithmonë. Reka shkrepi fotoaparatin e tij në të gjitha zhvillimet e mëdha që pasuan fillimisht duke punuar në “Bota e Re” prej 1984 dhe dy vjet më vonë në të famshmen “Zëri i Rinisë”.

Reka fillon të njihet ndërkombëtarisht kur në Kosovë nisi të vinte era barut. Në fillim, fotot e tij publikoheshin për gazetën Sigma të Francës.

“Shumë gjëra ndodhnin, askush nuk i shihte”, thotë Reka, duke përmendur foto që dokumentonin dhunën policore serbe ndaj studentëve dhe popullatës shqiptare.

Pas një kohe të shkurtër, Reka punësohet në agjencinë e famshme botërore të lajmeve Reuters.

Ishte kohë përplot ngjarje për të cilat ka rrezikuar shumë herë. Ato fotografi kanë krijuar qëndrime dhe kanë mobilizuar njerëzit në Perëndim.

Reka kujton foton e parë që kishte bërë kur kishte filluar lufta në Kosovë dhe atë të fundit kur ishte i detyruar të lëshonte vendin e tij.

Ishte ngjarja në Likoshan (Drenas), më 1998, kur mese 20 shqiptarë u vranë nga forcat serbe, gjë që praktikisht shënoi fillimin e luftës së armatosur. “Kemi ecur malit për të arritur në fshat pasi të gjitha rrugët ishin të bllokuara nga policia serbe”, thotë Reka.

Nga ai fshat, Reka përcjell jashtë foto që kishte bërë. “Në mesin e fotove të tmerrshme, ishte një foto e një plaku që kishte mbijetuar. Ai ishte si në komë”, tha Reka.

Ai po ashtu kishte martë guximin të shkojë në Prekaz kur vritet familja e Adem Jasharit nga policia serbe në mars 1998 dhe përveç fotove që kishte bërë iu ndihmon fshatarëve që të bëjnë rivarrimin e familjes.

“Familja ishte varrosur nga serbët në mënyrë të keqe. Fshatarët dëshironin që t’i varrosnin si duhet. Iu dola në ndihmë për të tërhequr trupin e Ademit. Ishte mot i keq. Kishte shumë baltë”, kujton Reka derisa ngre një gllënjkë verë.

Kjo është vetëm edhe një konfirmim se në gazetari jo gjithmonë mund të jesh thjesht vëzhgues. I interesuar vetëm në rrëfim dhe i pa përfshirë në ngjarje.

“Nxora rripin tim dhe e bashkuam me një tjetër për të nxjerrë trupat për varrim të denjë”, tregon ai.

Fotoja e fundit ishte tërheqja e UNHCR’së nga Skenderaj, një natë para bombardimit të NATO’s kundër trupave ushtarake serbe në Kosovë.

Para se të merr rrugë për në Maqedoni për strehim, Reka i fsheh aparatet e tij në kulmin e xhipit të agjencisë për të cilën punonte për çdo ditë në terren.

“Të më zinin me aparat ishte e njëjtë si të më zinin me armë,” kujton Reka, ku thekson se edhe negativët e fotove që i kishte bërë një kohë të gjatë i kishte fshehur. Në fakt, ato mbetën ndër armët më të fuqishme.

Edhe nga Maqedonia, Reka bënte foto për çdo ditë duke rrëfyer për shqiptarët që vinin në kampin e refugjatëve dhe dëgjonte rrëfimet tyre.

“Furnizoja Reuters’in me foto dhe tregime të tyre për çdo ditë”, tha ai, duke shtuar se kishte bërë shumë portrete të njerëzve të cilët vinin me autobusë nga kufiri i Maqedonisë në kampe.

“Këto portrete nuk do të përsëriten më”, thotë Reka, duke iu referuar momenteve të humbura të njerëzve të cilët kalonin kufirin.

Pas luftës, Reka vazhdon të punojë për Reuters’in. Ai gjatë fundjavëve shkon në fshatin ku ka lindur, Nerodime të Ferizajit, ku edhe ka nisur një punë duke shkrepur për çdo ditë foto të pemëve dhe gjërave tjera që i ka në oborrin e shtëpisë, ku dëshiron të paraqes evoluimin e tyre gjatë vitit.

Në bisedë e sipër, Reka kujton edhe ditët e para kur kishte filluar të merret me fotografi dhe të cilat i zhvillonte në laboratorin e tij në shtëpi.

“Vinin bashkëfshatarët dhe çuditeshin se si në një copë letër mund të dilnin njerëz. E bënë bujë këtë punë duke thënë që Haziri po bën çudira në shtëpinë e tij”, tregon Reka, derisa përshëndetet me njerëz tek lokali i tij i preferuar “Elzar” në Prishtinë.

Fotografitë me portretet e shqiptarëve të dëbuar i kishte ekspozuar në Austri në vitin 2006. Pas një viti, në shtetin e njëjtë mban edhe një ekspozitë në Begrenz, Kronologji 1998-2008, foto nga Kosova.

Ai ka shumë rrëfime për të ndarë – si duhet dalë me kohë në një ngjarje, cilën fotografi duhet zgjedhur, si duhet zënë momenti i duhur, çka duhet të tregoj një portret. Fotografisti përfundimisht nuk është njeriu njëdimensional.

Tash së fundi, ka mbajtur një ekspozitë të njëjtë ne Francë, në qershor, për të cilën thotë se shumë vizitorë ishin ndarë të kënaqur. “Më vjen keq që askush nga ambasada e Kosovës nuk ka ardhur edhe pse i kemi dërguar ftesë katër herë. Së paku jo ato tre-katër ditë sa isha unë atje.”

Për Rekën, aparati më i favorizuar vazhdon të jetë Hasseblad, me film dhe që ka vetëm 12 poza, dhe ka moshë të njëjtë si vet ai, 50 vjet. Por, ai po ashtu vazhdon të përcjellë teknologjinë e fundit të aparateve me të cilat është familjarizuar.

“Sot është më lehtë të punosh. Brenda një kohe shumë të shkurtër, fotoja mund të gjindet në tërë botën”, tha Reka.

Ai përmend një rast në vitin 1989 kur gazeta Start e Zagrebit kishte intervistuar Ibrahim Rugovën për fotot e të cilit ishte kujdesur Reka si korrespondent i tyre.

“Fotot duhej dërguar me postë. Kjo mori shumë kohë dhe gazeta nuk deshi të publikojë intervistën me Rugovën para se te arrinin fotot,” tha Reka duke shtuar se mediat botërore i kushtojnë shumë rëndësi fotografisë.

Reka po ashtu ka publikuar një libër me fotografi të quajtur “Ecje Nëpër Terr”, kronologji ngjarjesh. Tani ai është në ri-punim të këtij libri me kronologji ngjarjesh shtesë.

Historia më e re e Kosovës gjendet aty. Ajo është më e ndriçuar me këto fotografi.

Puna e Hazir Rekës është thesar i gazetarisë dhe jetës kosovare.

(Petrit Çollaku, Kallxo.com)

Comment

*