Kujtesë: TAKIMI RUGOVA – CHIRAC, SOT 22 VJET

Muhamet HAMITI

Presidenti Rugova: Duhet ndalur operacionet serbe, eksodin, të gjejmë zgjidhje me negociata, para katastrofës

Presidenti Chirac: Politika serbe e spastrimit etnik është totalisht e papranueshme për Perëndimin

Presidenti francez Jacques Chirac ka pritur sot 22 vjet (më 19 qershor 1998) në Paris Presidentin Ibrahim Rugova, “liderin e moderuar politik të shqiptarëve të Kosovës”, siç i referohej agjencia amerikane e lajmeve The Associated Press (AP) në këtë storie nga takimi, që jep edhe deklaratat e të dy liderëve pas takimit.

Presidenti Ibrahim Rugova tha se forcat serbe kanë detyruar 80.000 pjesëtarë të popullit të tij ikin nga Kosova, 20.000 prej tyre në Shqipëri. Ai kërkoi veprim urgjent:

“Duhet ndalur operacionet serbe, këtë eksod, dhe duhet të krijojmë klimë që mundëson sukses të negociatave. Gjithmonë duhet të gjejmë zgjidhje me negociata. Më mirë të flasim ndërmjet nesh para katastrofës sesa mbas saj. Duhet ta mbrojmë popullin e Kosovës”.

Presidenti Chirac e akuzoi Serbinë për spastrim etnik: “Ka vullnet për spastrim etnik prapë. Kjo është totalisht e papranueshme për Perëndimin. Nëse kjo vazhdon do të ketë rrezik të madh që konflikti të përhapet në pjesët e tjera të Ballkanit”.

Presidenti francez u dha mbështetje të plotë ushtrimeve ajrore të NATO-s që do të kryhen mbi Shqipëri dhe Maqedoni ditën e hënë [tri ditë mbas takimit të Chiracut dhe Rugovës, të premten, më 19 qershor], njoftonte AP.

Ky demonstrim force ushtarake të hënën ka për qëllim t’i bëjë presion Sllobodan Millosheviqit që takohet atë ditë me Presidentin rus Boris Jellcin për të diskutuar për eskalimin e krizës, përfundonte AP-ja.

 

(Muhamet Hamiti është profesor në Universitetin e Prishtinës. Ai ka qenë këshilltar për medie i Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, dhe këshilltar politik i Presidentit Fatmir Sejdiu. Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ka qenë ambasador në Mbretërinë e Bashkuar)

Comment

*