Kujtohet Rreshpja, poeti i trishtimit

Qëndra e Studimeve shqipe “Kadare” një aktivitet për 12 vjetorin e ndarjes nga jeta të Frederik Rreshpjes

 

Lexime dhe kujtime. Vetëm përmes vargjeve dhe ndodhive nga copëza kujtimesh të mbetura në kujtesën e atyre që e njohën mund të kujtohej një nga poetët më përfaqësues të poezisë shqipe Frederik Rreshpja. Në 12-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta më 17 shkurt, Qendra e Studimeve shqipe “Kadare” organizoi një aktivitet ku morën pjesë njerëz të letrave dhe miq të Rreshjes, në Universitetin Europian të Tiranës. “Gjithë poezia e Rreshpjes është një formë për të rithënë një nga vargjet e një kënge të vjetër të njerëzimit “të dua”, tha Ukë Zenel Buccëpapaj, i cili e ka përkthuer Rreshpjen dhe në anglisht. Ai e quajti atë një poet të pamposhtur sicc është dhe poezia. “Rreshpja i shkruante poezitë lehtë, dhe po aq lehtë i harronte aty ku i shkruante. Kushedi sa fletë me vargje kanë humbur prej tij”, tha Ukë Zenel Buccëpapaj, duke e quajtur atë një poet të nivelit europian. Agron Tufa u ndal në bashkëkohësinë që mbart vepra e Rreshpjes, ccka është e rëndësishme për një letërsi dhe kohën kur ajo është shkruar. “Aftësia e tij sugjestionuese për të na bërë bashkëkohës të një epoke është veçori e Rreshpjes po aq sa dhe kornizimi i tij në një linjë siç është elegjia që ndjehet në vargjet e tij, duke i ngjarë disi dëshpërimit të zi eseinist”, tha Tufa, duke shtuar se “Rreshpja ka krijuar profilin e një poeti të pagabueshëm”. Shpëtim Kelmendi foli jo vetëm për vlerën universale të poezisë së Rreshpjes duke thënë se Rreshpja ka aftësinë të bëhet mik i yti, sapo nis e lexon një poezi të tij. “Rreshja duket sikur zgjodhi dhe ditën e vdekjes, duke ikur në mënyrë simbolike në të njëjtën ditë kur zgjodhi të ikte Moljeri, Hajne… E kam quajtur shpesh poezinë e tij si destamentale, pasi duket sikur vdekja rri e përgjon në çdo varg, tek ai. Fredi i shkroi trishtimit ashtu siç e përjetoi, nuk e sajoi trishtimin”, tha Kelmenti, duke ndarë për të pranishmit dhe kujtime nga jeta me të. “Fredi thoshte më jep një fletë të bardhë, ose dy ose tre, dhe aq fletë sa i jepje aq poezi shkruante. Gjithçka e kishte në mëndje dhe nuk mendonte për të shkruar”, tha Kelmenti, duke e quajtur Rreshpjen një ngjarje për poezinë shqipe. Mbi vlerat e poezisë së Rreshpjes në poezinë shqipe foli dhe kritiku Behar Gjoka. Sipas tij teksti mund të interpretohet në shumë forma, por poezia e Rreshpjes mbart gjithë elementet e një teksti të përsosur e unik. Për Aleksandër Cipën tek vargjet e Rreshpjes gjen dhe bashkëkohësin e kohës ku jetoi. Dhe pse duket si një poet i vargjeve të dashurisë ai i ka folur shumë kohës. “Rreshpja realizon një poezi, cilësia e së cilës, në botën e poezisë europiane krahasohet me prurjet më të mira të kontinentit, por qasjet mbeten prapë të paqarta dhe paralelizmat nuk funksionojnë gjatë”, u shpreh Brikena Smajli. Jetmir Shpuza e quajti poezinë e tij si një përkryerje të vargjeve shqipe, duke lexuar para të pranishmëve vargje të përzgjedhura nga krijmtaria e tij. Për Alda Bardhyli, Drejtore të Qëndrës së studimeve Shqipe Kadare, ky aktivitet ishte një homazh për një ndër poetët e rëndësishëm shqiptarë të shekullit XX, në vazhdën e aktiviteteve të ndërrmara nga kjo qëndër për ti dhënë më shumë vëmëndje letërsisë dhe autorëve shqiptarë. Shkrimtari Viktor Cenosinaj foli për një gjëndje të përhershme që le tek lexuesi poezia e Rreshpjes.

Comment

*