Kujtojmë ata që falën ngrohtësi në një stinë të akullt

Emin Azemi 1

          Emin Azemi

Këto ditë do të kujtojmë edhe një ngjarje të hidhur që nuk ka ndodhur moti, por që me dramaticitetin dhe tragjiken e vet, prek ndjenjat e çdo njeriu. Tash e 18 vjet, në një pranverë të plagosur, makina vrastare serbe po merrte hov me dëbimin e shqiptarëve nga Kosova. Si hakmarrje ndaj aksioneve të NATO-s, që kishin filluar bombardimin e caqeve luftënxitëse të Millosheviqit, ekspeditat ndëshkuese serbe, po zbraznin fshatrat e qytetet. Alarmi për një llahtari ishte dhënë në gjithë botën. UÇK me forcat e saja të shpërndara anë e kënd Kosovës, nuk po mundte t’iu përgjigjej të gjitha kërkesave për ndihmë. Shumë fëmijë, pleq e gra asnjëherë më parë nuk kishin menduar se një ditë do të duhej të merrni shpejt e shpejt pak gjëra, për të ikur kah sytë këmbët. Çdo vonesë mund t’u kushtonte me jetë.

Zaten, kjo ishte periudha kur në Kosovë u kryen masakrat dhe shëmtitë më makabre të forcave paramilitare serbe. Vaji i atyre që shihnin nga afër këto tmerre, këputej nga breshëria e automatikëve. Ata që arrinin të shpëtonin, quheshin me fat.

Kumanova, Tetova, Shkupi, Kërçova, Dibra, Gostivari ishin mbushur e stërmbushur me të ardhur të shumtë nga Kosova. Vëllezërit shqiptarë, të ikur nga dhuna serbe , në viset shqiptare në Maqedoni kishin gjetur mikpritjen e veçantë. Atyre u janë lehtësuar dhembjet aq shumë, sa që këtë mikpritje dhe humanitet të rrallë nuk do ta harrojnë kurrnjëherë. Në Tetovë e Shkup patën ardhur qindra intelektualë, studentë, shkollarë, bujq, por edhe të tjerë, të cilët njoftuan për golgotën e tyre të stërmundimshme gjatë udhëtimit nga Kosova për në Maqedoni. Në mesin e tyre ndodhej edhe shkrimtari i shquar, Ramiz Kelmendi, i cili pat botuar te gazeta FAKTI disa shkrime në të cilat atë botë përshkruante mallin për Prishtinën dhe fatin e atyre që kishin ngelur ende në Kosovë.

Shtypi raportonte për të ardhur të tjerë nga rajonet e Kaçanikut, ku ditëve të fundit ishin vra mbi 40 shqiptarë. Gjendje shumë e rëndë raportohej veçmas në fshatrat Ivajë, Kotlinë, Doganaj, Koxhaj, Duraj, Gabrricë, Stagovë, Gërlicë e Epërme, pastaj Rakaj i Ferizajt, Greme, Gaçkë. Nëpër këto vendbanimet nuk kishte mbetur njeri. Dëshmitarët okularë rrëfenin për shtëpitë e mbetura shkret, të plaçkitura dhe të djegura barbarisht nga terroristët serbë. Ata flitnin gjithashtu edhe për masakra masive serbe mbi disa rajone të Kosovës.

Në fshatin Kotlinë, barbaria serbe më 24 mars kishte masakruar 22 persona civilë shqiptarë. Këta së pari i kishin rrahur me shufra hekuri dhe i kishin gozhduar në kokë, e pastaj të masakruar mizorisht i kishin futur në një bunar të fshatit Kotlinë. Ndërkohë, banorët e këtushëm kishte afër një muaj që kishin braktisur vatrat e tyre, dhe ishin vendosur përkohësisht në Shkup, Tetovë dhe në vendbanimet tjera të Pollogut e Karadakut, por me shpresë të vazhdueshme se shumë shpejt ata do të ktheheshin nëpër shtëpitë e tyre.

Bashkë me të ikurit nga Kosova, ato ditë të vështira, në Maqedoni kishin ardhur edhe disa gazetarë të huaj, të cilët raportonin mbi atë çka po ndodhte.Disa prej tyre kishin zgjedhur redaksinë e gazetës FAKTI për të raportuar në Berlin, Londër, Uashington. Tetova, Kumanova e Shkupi ishin bërë epiqendra të këtyre operimeve profesionale gazetareske. Shumë prej tyre ishin të interesuar që të shkojnë në Kosovë dhe të raportojnë për aktualitetin tepër tragjik atje. Si nëpër valët e detit, lumi i madh i njerëzve të ardhur në Tetovë nga Kosova, në Gostivar, Shkup e Kumanovë, Dibër, Strugë, Kërçovë, qarkullon dhe në sytë e tyre hetohej një dhembje shumë e madhe. Të gjithë kishin një dëshirë dhe një qëllim: të ktheheshin sa më parë në atdheun e tyre. Ata ishin përmalluar për gurin dhe drurin e vendlindjes…

Një mobilizim i shtuar në atë prill të vitit1999 kishte trokitur edhe në ndërgjegjen gazetarëve. Duke ushtruar këtë profesion neve atëbotë na ra të kontaktojmë qindra njerëz, jo vetëm të ardhur, por edhe vendës. Qëllimi ynë ishte që t’ia tregojmë botës dy anën e realitetit shqiptar: njërën që përshkohej nga tmerri dhe eksodi, dhe tjetrën nga mikëpritja dhe ngrohtësia vëllazërore. Mikpritja e njerëzve tanë ishte treguesi më i mirë se ky popull kishte ardhmëri dhe askush, madje as ata që po mbillnin vdekje anë e kënd Kosovës, nuk do të mund të shkulnin nga zemra atdhedashurinë për këtë atdhe të robëruar. Gazetaria e atyre ditëve dramatike ishte e mbarsur me barrën e rëndë të përgjegjësisë, sepse nga ne varej se si dhe sa do të mund të alarmohej bota. Për fatin tonë të mirë, kjo gazetari atëherë ishte shumë mobile dhe e liruar nga çfarëdo ndikimi politik. Raportimi dhe informimi i drejt, i shpejt dhe i paanshëm ishte bërë kodeksi ynë i vetëm i punës profesionale. Në përshkrimet e shumta që atëherë i bëhej situatës së të ikurve kosovarë, veçojmë edhe një ngjarje që lidhet me një grup kosovarësh, të cilët që gjatë golgotës së ikjes drejt Shkupit, vdiqën dhjetëra prej tyre, kryesisht fëmijë, gra dhe pleq. Por, ishte një rast emocional kur njeri pej tyre që mezi shpëtoi nga plumbat vrastarë të serbëve në Kaçanik, në momentin kur del në Maqedoni, rrugës për në Tetovë humb jetën tragjikisht. Ishte ai, Sherif Sylejman Loku, 43-vjeç, nga fshati Kotlinë, i cili siç e përshkruajnë bashkëudhëtarët e tij, kishte shumë dashuri për Sharrin, për Kotlinën, për Kosovën. Ai shumë e donte UÇK-në, Kosovën. Kishte ikur me shpejtësi nga Kotlina për t’i strehuar familjen dhe fëmijët në Tetovë. Por, fatkeqësisht, humbi jetën tragjikisht në rrugë për në Tetovë, bashkë me Habil Xhaferin nga Reçica dhe Safet Luma nga Glloboçica, me vendbanim në Tetovë. Mbeti e parealizuar dëshira e Sherifit për t’u kthyer dhe për t’iu bashkangjitur luftëtarëve të lirisë. Por, ëndrra e tij e madhe do të realizohej shpejt. Fëmijët e Sherifit, Emirjeta, Sylejmani, Imriu dhe Sahadetja do ta gëzojnë lirinë e Kosovës.

Tash, pas 18 vjetëve, kujtojmë ata që falën ngrohtësi në një stinë të akullt. Dielli i lirisë kishte shkri akujt e robërisë, kurse mikpritja e vëllezërve e motrave këtu, u bë ylber mbi qiellin e kthjellët të atdheut.

(Ky shkrim është publikuar në llogarinë personale të autorit në Facebook) 

Refugjate kosovare_1999

Comment

*