Kuka: Majlinda nuk ka marrë pagë nga korriku i vitit 2016

Prishtinë, 4 shtator 2017 – Kampionia olimpike në xhudo, Majlinda Kelmendi, nuk ka marrë asnjë cent pagë që nga korriku i vitit 2016.

Kështu ka thënë përzgjedhësi i reprezentacionit të Kosovës në Xhudo, Driton Kuka, në një postim në profilin e tij në “Facebook”.

“A kanë njohuri Institucionet e Shtetit që Kampiones Olimpike s’i ka dalë asnjë cent për pagat ndaj saj prej Korrik 2016 !!!”, ka pyetur Kuka.

Po ashtu, ai ka pyetur se a kanë njohuri institucionet që Federatën e Xhudos dikush po e bllokon me financa, prej marsit 2017.

“Çka po pretendohet me këto bllokada deri kur po mendoni që duhet duruar bllokaden e Sportit me Kampion Evropian,Botëror e Olimpik!?”, ka pyetur trajneri i kampiones botërore.

“A mos po krijohet përshtypja që duhet edhe Majlinda të vij të qaj e trokas nëpër dyer të Ministrisë e të duket sikur po kërkon lëmoshë sikur disa sportist që janë sjell në atë gjendje!?”, ka shtuar ai.

Driton Kuka premton se nuk do të lejojë kurrë që një nxënës të tij të vijë në atë gjendje. “Nuk mund të shantazhoni Kampionen Olimpike të vije e të lus askend!”, ka theksuar ai.

Më tej, Kuka paralajmëron çdo politikan që për fotot me Majlindën tash e tutje do t’u duhet të marrin leje, përndryshe do të përballen me organet e drejtësisë. (r.m.)

Comment

*