Kukësi largon Allmuçën dhe merr Ribajn

Mesfushori është qejfprishur me mënyrën sesi e hoqën nga ekipi. Ndërkohë te nënkampionët kanë nisur provën tre lojtarë kolumbianë. 

Jeton Selimi

Divorci i papritur me Kukësin ka ardhur si një rrufe në qiell të hapur për Igli Allmuça-n. Mesfushori 34-vjeçar zbulon se nuk e kishte menduar largimin që në janar, por nuk mund të qëndronte në një skuadër ku e konsiderojnë të tepërt.

“Ishte klubi që kërkoi prishjen e njëanshme të kontratës dhe unë nuk hezitova për t’u larguar, sepse nuk mund të qëndroj në një klub ku më shohin të tepërt. Nuk kam kërkuar as dëmshpërblim në respekt të asaj që kam kaluar për dy vjet e gjysmë te kjo skuadër”.

Pasi falenderon të gjithë tifozët kuksianë për mbështetjen që i kanë dhënë gjatë dy sezoneve e gjysmë me nënkampionët e Shqipërisë, Allmuça shprehet se pengu i vetëm që i ka mbetur është vetëm mënyra e largimit.

“Nuk mund të them se kam ndonjë peng nga ana sportive, thjesht më vjen keq se si u largova, sepse në karrierën time kurrë nuk jam larguar nga ndonjë skuadër në mes të sezonit”. Mesfushori tiranas gjeti rastin për të sqaruar zërat për një tërheqje përfundimtare nga futbolli i luajtur. “Deklaratën për t’i dhënë fund futbollit të luajtur e kam thënë për faktin se drejtuesit e Kukësit më kishin propozuar një post në staf, por tani gjërat kanë ndryshuar, do të luaj futboll aq sa të kem mundësi”.

Përsa i përket një rikthimi të mundshëm te Partizani, Allmuça e pranon se kjo lëvizje është shumë e vështirë për t’u bërë realitet, pasi në rolin e tij ka shumë konkurrencë. Ndërkohë, Kukësi ka zyrtarizuar blerjen e sulmuesit fierak Andi Ribaj. Ribaj u largua pak ditë më parë nga kampionët e Skënderbeut, ndërsa u përfol për një rikthmin të tijin tek ekipi i Apolonisë.

Po ashtu, nurime pranë nënkampionëve të Shqipërisë zbulojnë se është rënë parimisht dakord me kolumbianin Harold Reina, i cili vjen nga radhët e Apollon Limasolit në kampionatin qipriot.

24-vjeçari do t’i bashkohet skuadrës gjatë fazës përgatitore në Turqi, dhe pritet të ketë impakt të menjëhershëm në fazën sulmuese. Por Reina nuk është kolumbiani i vetëm që do të vihet nën urdhrat e Artim Shaqirit. Në Antalia, verilindorëve do t’u bashkohen për një periudhë prove edhe dy futbollistë të tjerë kolumbianë, Joulejs Mena dhe Kamilo Rosero, përkatësisht 23 dhe 20 vjeç.

I pari vjen nga Indipendiente Medelin ndërsa i dyti nga Deportivo Kali, të dyja skuadra të kampionatit kolumbian. Sigurisht fjalën e fundit për lojtarët në provë do ta thotë stafi teknik, që kërkon vetëm elementë që bëjnë diferencën në këtë merkato dimërore.

Comment

*