Kukësi mposht Teutën dhe merr kryesimin

Verilindorët kanë siguruar tre pikë falë golit të Pejiçit dhe janë të parët. Elbasani merr pikët e para në këtë kampionat. Laçi hedh “KO” Vllazninë

 

Jeton Selimi

Kukësi është kryesuesi i vetëm pas javës së shtatë të Kategorisë Superiore. Pas disa javësh ku kreun e renditjes e kanë ndarë disa ekipe në kuotë të njëjtë pikësh, tashmë verilindorët janë udhëheqës, por kundërshtarët janë shumë pranë, vetëm një frymë larg. Ekipi i Artim Shaqirit është në kuotën e 13 pikëve, nga 12 kanë Flamurtari, Partizani e Tirana, ndërsa Skënderbeu ka 11 pikë. Një grup i ngjeshur në krye të renditjes.

Në stadiumin “Zeqir Ymeri” të qytetit të Kukësit, skuadra e drejtuar nga strugani Artim Shaqiri, ka arritur një fitore të vështirë, por me shumë peshë ndaj Teutës. Bregdetarët, që javën e shkuar “hoqën qafe” në Durrës Skënderbeun me një rezultat të pastër 2-0, paraqiteshin si një kundërshtar i fortë. Ndeshja luhet me ritëm dhe fjalën e parë e kanë të zotët e shtëpisë, që shohin më shumë nga porta e mbrojtur nga Rizvani. Kukësi i afrohet disa herë golit, por do të vuajë për të shfrytëzuar rastet e paraqitura. Gjithsesi, ngërçi do të zgjidhet në minutën e 66-të, ku kroati Pero Pejiç, me kokë, do të tundë rrjetën duke i dhënë tre pikë Kukësit. Një fitore që e ngit ekipin verilindor në vend të parë dhe një gol që i jep kryesimin e renditjes së golashënuesve kroatit me 4 gola.

Laçi mposht dhe parakalon në renditje Vllazninë. Kurbinasit nuk do të vuajnë për të gjetur epërisë, kur i zakonshmi Xhejms do të mposhtë portierin Selimaj. Vllaznia do të përpiqet të reagojë, por nuk do të ketë forcën e duhur për të ndryshuar fatet e ndeshjes. Ndërsa afrohet fundi i 90 minutave, bardhezinjtë do të shënojnë dy herë të tjera. Në fillim do të jetë Çetkoviç që do të kthejë në gol një 11-metërsh, ndërsa në kohën shtesë nigeriani Xhejms do të realizojë golin e dytë personal dhe të tretin e të fundit për Laçin në këtë takim.

Elbasani gjen fitoren e parë në këtë kampionat dhe këtë e bën ndaj një kundërshtari të drejtpërdrejtë. Qenka dashur që verdheblutë të lënë fushën sportive të Peqinit për t’i zhvilluar ndeshjet si pritës në stadiumin e Pogradecit që të shijojnë suksesin e parë. Viktima është Apolonia, që pas një nisjeje shumë të mirë ku fitoi ndaj Partizanit dhe barazoi me Skënderbeun, nuk po arrin të gjejë më ritmin e duhur. Mirel Çota në minutën e 45-të dhe Emiljano Musta në të 84-ën do të jenë autorët e golave në triumfin e Elbasanit, që merr pikët e para në këtë kampionat.

Në ditën e djeshme, dy përballje mjaft interesante si Partizani-Flamurtari dhe Skënderbeu-Tirana përfunduan pa gola.

 

Kategoria Superiore

 

Java VII

 

Dje

Partizani – Flamurtari          0-0

Skënderbeu – Tirana           0-0

 

Sot

Kukësi – Teuta         1-0

Laçi – Vllaznia         3-0

Elbasani – Apolonia    2-0

 

Renditja

Skuadra          N         F          B         H         P

Kukësi            7          4          1          2          13

Flamurtari      7          3          3          1          12

Partizani        7          3          3          1          12

Tirana             7          3          3          1          12

Skënderbeu   7          3          2          2          11

Laçi                7          2          4          1          10

Vllaznia         7          3          2          2          8

Teuta              7          2          1          4          7

Apolonia        7          1          1          5          4

Elbasani         7          1          0          6          3

 

 

Java VIII

 

18 tetor

Apolonia – Teuta

Flamurtari – Skënderbeu

Vllaznia – Partizani

Elbasani – Laçi

Tirana – Kukësi

 

 

 

 

 

 

 

Comment

*