Kundështarë në Kuvend, partnerë në komuna

Prishtinë, 13 nëntor 2017 – Lëvizja “Vetëvendosje” e kritikon ashpër Qeverinë e Kryeministrit Ramush Haradinaj, por me partinë e tij ka bërë koalicion para balotazhit në Kamenicë, njëjtë siç ka vepruar edhe me AKR-në e Behgjet Pacollit, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Partia më e madhe parlamentare në vend është deklaruar se “vija të kuqe” për bashkëqeverisje në nivel lokal ka vetëm me PDK-në e Kadri Veselit.

Edhe LDK-ja ka vendosur të bashkëpunojë me AAK-në në Prishtinë, në mënyrë që kjo ta përkrahë kandidatin e saj Arban Abrashin, ndonëse në Parlament partia e Isa Mustafës është pjesë e opozitës, etj.

Kreu i lëvizjes “Vetëvendosje”, Visar Ymeri, gjatë një interviste dhënë “Zërit”, ditë më parë, bëri të ditur se kjo parti ka “vija të kuqe” me PDK-në si në nivelin qendror, ashtu edhe në atë lokal.

“PDK-ja nuk vjen në shprehje, në disa raste edhe LDK-ja është e papranueshme, për shkak të historikut dhe kandidatit që e kanë dhe në këtë drejtim ne do ta mbajmë një pozicion që mund ta quash qoftë neutral, qoftë abstenues. Në komunën e Dardanës kemi diskutuar me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, ku është arritur marrëveshja. Pra, janë këto marrëveshje, të cilat ne, sipas statutin tonë, duhet t’i diskutojmë në Këshillin e Përgjithshëm dhe t’ua japim dritën përfundimtare secilës marrëveshje veç e veç”, ka thënë Ymeri. (r.m.)

 

Comment

*