Kur askush nuk e vret më mendjen se mund të jetë ndryshe

Fragment nga libri “Te Martat me Morin” (“Tuesdays with Morrie”) i shkrimtarit amerikan Mitch Albom

 

Përkthyer nga Albana Lifschin

Morit gjithnjë i kishin bërë përshtypje kënaqësitë e thjeshta, kënga, e qeshura, kërcimi. Tani më shumë se kurrë gjërat materiale kishin peshë të vogël ose nuk kishin peshë fare. Në raste vdekjesh, gjithmonë dëgjojmë atë shprehjen: “S’kemi për t’i marrë me vete”. Mori, dukej, e kishte ditur këtë shumë kohë më parë.
– Në vendin tonë na i kanë shpëlarë trutë, – psherëtiu Mori. – E di se si u shpëlahen trutë njerëzve? Kur përsëritet vazhdimisht e njëjta gjë. Është mirë të kesh. Paraja është e mirë. Më shumë prona, më mirë. Më shumë reklamë, më mirë. Më shumë, më mirë. Më shumë, më mirë. Ne e përsëritim këtë dhe të tjerët na e përsëritin vazhdimisht kaq shumë, sa vjen një pikë kur askush nuk e vret më mendjen se mund të jetë ndryshe. Një njeri i nivelit mesatar është kaq i përthithur nga kjo, sa nuk sheh më se çfarë është vërtet e rëndësishme. Gjatë jetës sime, kudo që kam qenë, kam takuar njerëz që kërkojnë të bëjnë të tyren diçka të re: një makinë, një copë pronë, qoftë edhe një lodër të re dhe pastaj kanë dëshirë t’ua tregojnë të tjerëve: “E di se çfarë kam marrë? E di se çfarë kam blerë?”
– E di se si e kuptoj unë këtë? Këta njerëz janë kaq të uritur për dashuri, saqë pranojnë “zëvendësuesen” e saj. Ata bien në dashuri me objekte materiale. Por nuk mund të zëvendësohet dashuria, miqësia, ngrohtësia, mirësjellja, me sendet materiale. Paraja nuk mund ta zëvendësojë ngrohtësinë njerëzore dhe as pushteti, jo. Dhe po ta them, ndërkohë që jam ulur këtu e pres të vdes, se as paratë e as pushteti nuk ta japin atë ndjenjë për të cilën ke nevojë, pavarësisht se në ç’masë i ke.
Hodha vështrimin përreth studios së Morit: Ishte po ai mobilim që kisha parë ditën e parë që kisha hyrë në këtë shtëpi. Librat vendosur në po ato rafte, si më parë. E njëjta tryezë e vjetër pune, mbuluar nga letrat. Në fakt, prej një kohe të gjatë Mori nuk kishte blerë asgjë të re, me përjashtim të pajisjes mjekësore. Ditën që ai mësoi për sëmundjen e vet vdekjeprurëse, e humbi interesin për blerjen e sendeve. Kështu, televizori ishte po ai, një model i vjetër. Pjatat, lugët, pirunët, peshqirët, po ata. E megjithatë shtëpia e tij kishte ndryshuar në mënyrë të dukshme. Qe mbushur me dashuri, komunikim njerëzor dhe “mësimdhënie”.Qe mbushur me miq e familjarë, sinqeritet e lot. Qe mbushur me kolegë e studentë, terapistë, ndihmësmjekë e akapella. Qe bërë vërtet një shtëpi e pasur, edhe pse llogaria bankare e Morit po pakësohej në mënyrë të shpejtë.
– Ka një konfuzion të madh në këtë vend ndërmjet asaj që kemi nevojë, dhe asaj që kemi dëshirë, – tha Mori dhe vazhdoi: – Ti ke nevojë për ushqim, por ke qejf çokollata. Ji i sinqertë me veten. Ti nuk ke nevojë për makinën e fundit sportive, nuk ke nevojë për një shtëpi të madhe. E vërteta është që ti nuk gjen kënaqësi nga këto gjëra. E di se çfarë të jep kënaqësi të vërtetë?
– Çfarë?
– T’u ofrosh të tjerëve atë që ke mundësi. S’e kam fjalën për pará, Miç. Dua të them, kohën tënde. Interesimin tënd. Nuk është aq e vështirë. Ka një qendër pleqsh këtu pranë. Një duzinë syresh shkojnë aty, çdo mëngjes. Nëse je djalë i ri ose vajzë e re dhe ke një talent a një aftësi, shko aty dhe jepua atyre. Le të themi, nëse ke njohuri në kompjuter, shko dhe ua mëso atyre kompjuterin. Do të jesh shumë i mirëpritur. Ata do të të jenë mirënjohës. Ja, kështu, duke dhënë diçka nga vetja, fillon të fitosh respekt. Ka plot vende ku mund të japësh ndihmesë. Dhe s’ka nevojë të jesh talent i madh. Ka njerëz të vetmuar në streha vorfënore, në spitale, të cilët kanë nevojë vetëm për pak shoqëri. Luaj letra me një plak të vetmuar dhe do të ndihesh mirë për veten tënde, sepse munde të bësh diçka për dikë që kishte nevojë për ty. Të kujtohet çfarë të thashë për një jetë më kuptimplote? Përkushtojua veten të tjerëve, njerëzve përreth teje, bëj diçka që i jep jetës sate kuptim. E vë re, – shtoi ai. – se kjo s’ka të bëjë fare me parane.

Comment

*