Kur dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ishte për vetëm statusin

Ruben Avxhiu

10 vjet më parë, SHBA dhe Rusia përplasen në Këshillin e Sigurimit – shqiptarët dhe serbët fillojnë negociatat e fundit në New York

 

Në tetorin “e largët” 2007, SHBA dhe Rusia u përplasën përsëri për Kosovën në Këshillin e Sigurimit.
Në diskutim ishte përsëri dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit, por ndryshe nga sot kur vetëm për statusin dhe njohjen nuk bisedohet, në atë kohë bisedimet ishin ekskluzivisht për statusin.
Çfarë duhej të ishte Kosova, një shtet i pavarur apo një provincë e Serbisë, me autonomi të jashtëzakonshme e qeveri më vete.
SHBA përfaqësohej nga Ambasadori Zalmay Khalilzad, myslimani i parë në këtë post kaq të lartë historinë e shtetit amerikan. Në vitet 1990, pas rënies së komunizmit, SHBA përfaqësohej në Organizatën e Kombeve të Bashkuara nga një emigrante e lindur në Çekosllovaki, Madeleine Albright. Tani një tjetër emigrant, i lindur në Afganistan, po përjetonte të famshmen ëndërr amerikane, duke u ngjitur në majat e diplomacisë së saj.
Rusia kishte “të përjetshmin” Vitaly Churkin, që me Ballkanin merrej që nga koha e luftës në Bosnje, e që qendroi në postin e Ambasadorit në OKB deri sa vdiq këtë vit, papritmas në Nju Jork. Serbët nuk mund të gjenin një mbrojtës më të mirë të interesave të tyre sesa Churkin, po koha punonte në favor të shqiptarëve.
Debati u përqendrua në harkun kohor. SHBA e kishte humbur shpresën se Rusia do të pranonte pavarësimin. Hija e vetos në Këshillin e Sigurimit po shfaqej për të ardhmen e shtetit që nuk ishte lindur ende.
SHBA dhe shumica e vendeve të Këshillit të Sigurimit kishin rëndë dakord që bisedimet të zgjasnin vetëm dy muaj. Rusia këmbëngulte se kufimi në kohë paralajmëronte dështimin e tyre.
“Bisedimet duhet të zgjasin aq sa është e nevojshme”, argumentonte Churkin. Mbase zgjidhja vinte dy ditë mbas muajit të dytë.
Po shqiptarët e Kosovës nuk donin të bisedonin fare. Ekipi që përfaqësonte gjithë spektrin politik e shoqëror, përveç rebelëve skeptikë të Vetëvendosjes, kishte pranuar të ulej përballë serbëve vetëm që të mos ua prishnin amerikanëve.
Serbët dhe rusët dyshonin se bisedimet ishin një farsë për të kaluar pastaj te shpallja e pavarësisë së pashmangshme. Frika e tyre ishte shpresa e shqiptarëve. Konteksti ishte plot ngarkesë psikologjike. Udhëheqësve të Kosovës po u kërkohej që edhe njëherë ta besonin Perëndimin ashtu si në Rambuje.
Albin Kurti, kryeskeptiku i kohës, ishte nxjerrë para gjyqit dhe kërcënohej nga UNMIK-u me burgim. Shumë figura të Kosovës kishin shpresuar që çështja të mbyllej brenda vitit. Dikush kishte përmendur 28 nëntorin 2007 si datë të pavarësisë, po provokimi do të kishte qenë më i fortë sesa ia kishin ngenë aleatët. Më e rëndësishmja për SHBA-në, Mbretërinë e Bashkuar dhe Francën ishte bashkimi në një qendrim i BE-së (një betejë që do të humbej në fund).
“Askush nuk duhet ta mendojë 10 dhjetorin si fundin e botës”, tha Ambasadori Churkin për datën e mbarimit të bisedimeve.
Ambasadori Khalizad ishte i qetë. Serbët shpjegoi ai mund të jenë të kënaqur që t’i vazhdojnë bisedimet pafundësisht, që të mos zgjidhet çështja kurrë. Rajoni nuk mund të mbetej pezull pafund sepse nuk pranonte Beogradi realitetin e ri.
“Nuk mund të pritet pafund, në një gjendje ku nuk dihet statusi përfundimtar sepse potenmciali për destabilizim të Kosovës është i madh”, kërcënoi Ambasadori Amerikan. “Nuk ka mbetur më kohë”.
Dhjetë vjet më parë, në 28 shtator 2017, në Nju Jork, filloi tik-taku i fundit drejt zgjidhjes së statusit të Kosovës, kur serbët dhe shqiptarët e Kosovës u ulën përballë njëri-tjetrit.
Asnjëra palë nuk luajti nga pozicionet e tyre. Një nga tre ndërmjetësuesit e bisedimeve ishte amerikan, Ambasadori Frank Wisner.
“Shqiptarët ishin fantastikë”, tha ai me entuziazëm gjatë një takimi konsultues me anëtarë të Këshillit Kombëtar Shqiptaro Amerikan, pas këtij takimi. “U sollën si burra shteti. Me vetëpërmbajtje dhe qetësi. Nuk dua të them asgjë për median që paragjykon bisedimet po që të ketë pavarësi, duhet të kesh udhëheqës të tillë që sillen si burra shteti”. (Prania ime në atë tryezë të KKSHA/NAAC në atë kohë ishte me kushtin që biseda me Ambasadorin Wisner të mos raportohej në shtyp.)
Shqiptarët e Amerikës ishin sigurisht të shqetësuar. Ashtu si në Kosovë ata kishin padurimin e zgjidhjes së statusit. Po besimi te SHBA këtu ishte i madh.
Ndërkohë Kosova po shkonte drejt zgjedhjeve parlamentare të 17 nëntorit. Këto zgjedhje do të sillnin epokën e Hashim Thaçit dhe PDK-së, që vijon edhe sot. Batuta e kohës ishte emri i ri i kreut të PDK-së ishte “Hashim Rugova”. Nënkuptimi ishte që ish-drejtuesi i UÇK-së kishte krijuar besimin reciprok me Perëndimorët ashtu si dikur Ibrahim Rugova. Për të tjerë, kjo nënkuptonte zbutjen e qendrimeve politike e nacionaliste të Thaçit.
Në fund bisedimet dështuan siç pritej. Kosova do të shkonte drejt pavarësisë. Thaçi do të bëhej kryeministër e Fatmir Sejdiu President. Serbia do të bënte edhe ajo zgjedhjet e saj me sukses duke rrëzuar Presidentin Koshtunica e duke zhgënjyer kërcënimet ruse se do të bëhej paqendrueshmëri në rajon e në botë nga pavrësia.
Qetësia e Khalizadit u provua nga historia, alarmizmi i Churkinit jo.

Një ditë përpara fillimit të negociatave të fundit Kosovë-Serbi, për statusin, në Nju Jork, mbërrin Grupi I Kontaktit për Kosovën. Në fotografi: kryediplomatët Bernard Kouchner (Francë) dhe Condoleezza Rice (SHBA) në selinë e OKB-së.

“Askush nuk duhet ta mendojë 10 dhjetorin si fundin e botës”, tha Ambasadori Churkin për datën e mbarimit të bisedimeve.


SHBA përfaqësohej nga Ambasadori Zalmay Khalilzad, djathtas në këtë foto, 10 vjet më vonë, në takim me mikun e tij shqiptar Presidentin e Ecolog, Lazim Destani.

Comment

*