Kur fotografia dhe arkitektura botërore përpjeken në dorën e syrin e Ilir Rizajt

Uran Haxha

Ai është një pejan, por i rritur në Prishtinë. S’ka mundur t’i shpëtojë një vesi të pejanëve që merren me zeje, megjithëse zeja e tij është më moderne, ose të paktën i ka rezistuar dhe ka ecur me kohën. Është Ilir Rizaj, fotograf që në sytë e tij së më miri merr fokusin e arkitekturës, objekteve të ndryshme dhe hapësirave që ua shton madhështinë. Një rrëfim për mos t’u humbur, nga fotografi që fotografitë e tij janë botuar në revistat më me nam për dizajn e arkitekturë.

Iliri njihet jo pak në rrethe profesionistësh sikur të fotografisë, ashtu edhe arkitekturës. Mirëpo, vonë në muajt e fundit të 2018-s, në një projekt të Përparim Ramës, H-House, pashë që fotografitë ishin fantastike. Firma e tyre mbante emrin e Ilir Rizajt dhe Fitim Muçajt. I ramë mbas si punë gazetari dhe pamë shumë punë të mëdha të Ilirit, që do pasonte me një kontakt direkt me të.

Gjithçka filloi kështu, duke u pasuar me një artikull të shkruar nga vet Ilir Rizaj për arkitektin Sokol Malushaga, që e botuam në Ndertimi.info. Radha mbeti që Rizaj, të na rrëfente pak për historinë e tij ngazëlluese. Si adoleshent, 15-vjeçar, po lidhte opingat mirë që të shkonte nga shkolla fillore në atë të mesmën. Në atë kohë, shpesh profesioni vendosej mu aty, sepse drejtimi në shkollën e mesme ta diktonte rrugën e jetës, natyrisht që jo gjithmonë.

Por, Ilir Rizaj kishte kuptuar se kishte pasion për një letër të vizllueshme që shpërfaqte imazhet e kapura nga syri i një aparati fotografik. Ai zbuloi fotografinë si pasion.Fati i donte që familja të kishte një aparat fotografik dhe kështu e shpjegon fillimin e tij.

“Kur isha shumë i ri diku rreth 15 vjeçar e kuptova që kisha pasion për fotografi dhe vendosa ta ‘konfiskoj’ aparatin e familjes. E mora një kurs të fotografisë në Institutin e Amvisërisë në Prishtinë, dhe e krijova dhomën e errët në bodrumin e shtëpisë”, tregon ai. Kursin kishte filluar, dorën ia kishte marrë aparatit, dhoma ishte bërë gati dhe fotografitë dilnin nga Ilir Rizaj.

 

Karriera në New York

Shtatë vjet nga protestat e 1981-s, pranë hyrjes së decienies së fundit të shekullit XX, Kosova po ziente. Kjo do të dëshmohej pak vite më vonë edhe kur në Kosovë shpërtheu lufta. Si shumë të rinj, edhe Iliri pati fatin e mërgimit.

“Në vitin 1988 e kam lëshuar Kosovën dhe jam zhvendosur në New York. Kam filluar punë në restorante, por krahas karrierës në restorante, jam marrë me fotografi në mënyrë amatore”, tregon Rizaj, që kohën sot e ka bukur të zënë, duke lëvizur mes rrokaqiejve njujorkez për të fotografuar vepra të arkitektëve.

Sigurisht fati duhet të jetë ndonjëherë në anën tënde. “Në vitin 1993 jam takuar me Fadil Berishën, fotografin e talentuar të modës. Ishte hera e parë që pata mundësi ta shohë realizimin e fotografisë profesionale të nivelit më të lartë botëror”. Po ai vit vë vulën e fillimit të punës së Rizajt afër arkitektëve.

“Projekte e para arkitektonike që i kam fotografuar profesionalisht kanë qenë në po atë vit. Ato kanë qenë dizajne nga një arkitekt iranian, Bijan Safavi”, kujton Rizaj, që deri në vitin 2012, fotografinë e kishte vetëm pasion.

“Më 2012 iu kam përqendruar në mënyrë profesionale, dhe natyrisht jam përqendruar në fotografi arkitektonike, ku e kam zemrën. Si klientë, sot kam arkitektë individualë si dhe firma të mëdha që dizajnojnë aeroporte, ndërtesa banimi, restorante, etj. Projektet që i kam fotografuar deri tani mund t’i shihni në ueb sajtin tim (vizito faqen)”, thotë Ilir Rizaj për Ndertimi.info.

Në detaje paksa, fotografi Rizaj që syri më së miri ja sheh arkitekturën, flet për relacionin e arkitekturës me fotografinë.

“Arkitektura është një lami shumë interesante, përsa i përket fotografisë. Duhet të specializohesh në hapësirë, në perspektivë, në përmasa. Duhet të njihesh shumë mirë me këtë lami, përsa i përket aspektit arkitektonik. Për ta fotografuar ndriçimi është shumë, shumë me rëndësi: si të ndriçohet një hapësirë pa e ndërru dizenjon e ndriçimit origjinal që e ka paramendu arkitekti”.

Në mesin e atyre që bashkëpunojnë me Ilir Rizajn, një rend jo i vogël janë shqiptarë. Ai flet me ëndje për këta arkitektë shqiptar.

“Bashkëpunoj me talentë të jashtëzakonshëm shqiptarë, si arkitektët: Sokol Malushaga, Bujare Cana, dhe Mars Podvorica, që jetojnë dhe veprojnë në New York, Përparim Rama, në Londër, Ilir Murseli dhe M. Koca në Prishtinë”, i përmend Rizaj këta artikitektë, duke thënë se një nga projektet më interesante që ka fotografuar është restoranti/bari “KuDeTa” në Perth të Australisë, vepër e Përparim Ramës.

 

Ardhjet dhe planet për Kosovë

Në çdo vit, agjenda e fotografit të arkitekturës përmban Kosovën. Ai gjithmonë dëshiron të vijë në Kosovë, por shpesh edhe dëshpërohet.

“Në Kosovë mundohem me ardhë çdo vit. Çdo vizitë është dualiste, aq sa gëzohem ta shohë vendlindjen, familjen dhe shoqërinë e vjetër, aq sa edhe dëshpërohem kur shoh ndotje të jashtëzakonshme të mjedisit, ndërtime të egra të pafundme”.

Ai mahnitet nga kullat në Kosovë, shtëpitë e vjetra dhe veçon objektin e Bibliotekës Kombëtare, si dizajn unik. Krahas talentëve të shumtë për arkitekturë nga Kosova, Rizaj thotë se “na mungon një vizion kombëtar për të krijuar kushtet e duhura financiare dhe sociale për arkitekturë interesante”.

Të gjitha këto, nuk e ndajnë asnjëherë nga ëndrra e tij. Guida arkitektonike nga Kosova.

“Unë e kam ëndërr të kahmotshme ta realizoj një libër, një guide arkitektonike, por jeta dinamike në New York ende nuk ma ka mundësuar këtë, por shpresoj se vjen dita së shpejti. Në ndërkohë, do të vazhdoj të zhvillojë bashkëpunimin me sa më shumë arkitektë të talentuar shqiptarë, kudo që të janë në botë”.

(Botuar fillimisht nga Ndertimi.info: https://ndertimi.info/kur-fotografia-dhe-arkitektura-boterore-perpjeken-ne-doren-e-syrin-e-ilir-rizajt/)

Upstate NY Residence.

Mullixhiu, Tiranë.

Comment

*