KUR NË DARDHË FESTOHEJ THANKSGIVING (DITA E FALENDERIMEVE)

Jani Batelli.

…dhe një vështrim në jetën e shqiptaro-amerikanit Jani Batelli e familjes së tij.

 

Nga Fuat Memelli

Thanksgiving është një nga ditët më të shënuara në Amerikë, krahas Krishtlindjeve, ditës së Pavarësisë, etj. Ajo festohet të enjten e fundit të nëntorit. Në këtë ditë njerzit mblidhen grupe-grupe dhe festojnë së bashku, ku ushqimi kryesor është gjeli i detit. Në këtë ditë njerzit falenderojnë Zotin për dëshirat që i plotësoi gjatë vitit që kaloi dhe shprehin dëshirat për të ardhmen. Kjo ngjarje është festuar për herë të parë në vitin 1621 nga pelegrinët e qytetit Plymuoth, që ndodhet në shtetin e Masachutsses. Në vitin 1863 në mes të Luftës Civile, presidenti Abraham Linkoln, e shpalli atë festë kombëtare. Por, le ta lemë historinë e festimit të kësaj dite në Amerikë dhe le të skojmë në Shqipëri. Në prag të kësaj dite, mësuam që Thanksgiving është festuar edhe në Dardhë të Korçës, nga shqiptaro-amerikani, Jani Batelli. E konfirmojnë këtë jo vetëm pasardhësit e kësaj familje, por e konfirmon edhe shkrimtarja dardhare, e ndjera Rozi Theohari (Çeku) në librin e saj të fundit “Potpuri dardhare”. Pas krizës amerikane të vitit 1929, më 1930 Jani Batelli u këthye në Dardhë, duke sjellë me vete traditën dhe kulturën amerikane, ndër të tjera edhe atë të festimit të Ditës së Falenderimeve. Në dimrin e vitit 1936, në Dradhë kishin shkuar disa kurbetlinj dardharë si Pandi Çeku, Vangjel Laçua,Thimi Zengo, etj. Jani Batelli i bëri një surprizë të bukur në restorantin e tij. Ai kishte shkuar në Selanik dhe pati blerë gjela deti. Ustai i kuzhinës, Thimi Zengo, i mbushi barqet e gjelave me gatesat speciale të kuzhinave amerikane, i poqi në furrë dhe kur darka ishte gati, Jani i ftoi kurbetlinjtë e Dardhës te lokali i tij. Shokët e vet dardharë nuk i besonin syve kur panë gjelat e detit dhe meze të tjera të vendosura në pjatanca të zbukuruara bukur. Duke shijuar mishin dhe rakinë e kumbllës, kaluan disa orë së bashku. Falenderuan të zotin e lokalit për surprizën e bukur që i bëri. Mund të themi se Jani Batelli është i pari që ka festuar në Shqipëri Ditën e Falenderimeve. Më pas e sidomos pas viteve ’90, mund ta kenë festuar edhe shqiptarë të tjerë, por Jani Batelli ze vend të parë.

 

DHJETË VJET NË AMERIKË

Ishte vetëm 13 vjet kur në vitin 1920 mori rrugën e kurbetit tok me të jatin, Pandon. U nisën nga Pireu i Greqisë dhe mbritën në Çikago, ku Jani jetoi e punoi për 10 vjet me rradhë. Punoi në një fabrikë llamarine. Puna ishte e vështirë por djali i ri plot energji, nuk i trembej asaj. Në vitin 1928 u bë nënshtetas amerikan. Gjatë 10 vetëve që qëndroi në Amerikë, shkoi tre herë në Dardhë. Në një nga këto udhëtime, u martua me vazjzën, Leftero Isaku ( Batelli), të cilën e kishte zgjedhur për të birin, nëna e Janit. Lefterua i dërgonte të shoqit letra plot mall, kur pas martesës ai u këthye në Amerikë. Disa nga këto letra, ajo ia shkruante në poezi. Ja një prej tyre: “Zemra ime e di/ m’u dogj si qiri/kur shikoj shoqet me burra/ më digjet zemra si furra/ kur shikoj shoqet që dalin/ më vjen të mar malin/ ç’u bërre djalo, pse s’ke ardhur/se tinë zemrën, s’ma ke zbardhur/ ç’u bëre djalo, pse s’je nisur// kurbeti, jo, s’ka të bitisur/ tinë vetë dhe unë vetë/ si do ta shkojmë këtë jetë?” Kriza e rëndë e Amerikës e vitit 1929 si dhe zëri i familjes e të shoqes që e thërrisnin nga larg, e detyruan që në vitin 1930, të marë rrugën e kthimit në atdhe. Në fotot që ka dalë në Amerikë, duket një djalë i ri, shtatlartë dhe i bukur. Kur i sheh ato foto, nuk beson se aty është një djalë fshati nga Dardha e Shqipërisë. Ai dhe Lefterua lindën dhe ritën katër fëmijë, tre vajza dhe një djalë: Ollgën, Jorgjinë, Teftën dhe Pandin, të cilët nderuan familjen dhe Dardhën kudo që punuan.
 
PIONIER I TURIZMIT NË DARDHË

Përvoja e punës në Amerikë si dhe dhe dëshira për të punuar e fituar, e nxitën Janin për ndërtimin e një lokali të ri në Dardhë. Punoi pa u lodhur tok me të shoqen dhe në vitin 1931 ndërtoi lokalin në një vend të bukur mes gjelbërimit në krye të fshatit. Në fillim lokali qe kafe-pijetore. Ambicja e tij ishte për të bërë diçka më tepër. Kishte problem se nuk i mjaftonin lekët , por e gjeti zgjidhjen: mori borxh te tregëtarët e pasur të Korçës, si dhe Rakua, Sekua, Turtulli, te pronari i “Kristalit” dhe ariti të ndërtojë 9 dhoma hoteli. Me shpirtin e tij praktik, e gjeti edhe mënyrën e shlyerjes së borxheve që kishte marë: personat e mësipërm vinin në lokalin e ti dhe nuk paguanin. Qëndrimi dhe shpenzimet në lokali i llogariste sipas borxheve që u kishte. Hotel-restorantin e quajti ” Turist –park”. Ishte i pari lokal turistik që hapej në Dardhë. Këtë e dëshmojnë jo vetëm familjarët e tij, por edhe dardharë të tjerë. Një nga ata është edhe Sotir Pani, mbi 80 vjet që jeton në Boston.”Po, thotë Sotiri, Jani Batelli është i pari në Dardhë që hapi një lokal turistik. Në fshatin tonë vinin turistë të ndryshëm nëpër familje, por Jani është i pari që ndërtoi një lokal turistik ”. Krahas klientëve të tjerë të njohur, në lokalin e tij kanë shkuar edhe motrat e mbretit Zog. Por, Jani Batelli nuk u mjaftua vetëm me lokalin që ndërtoi në Dardhë, të cilin e shfrytëzonte kryesisht në muajt e verës. Ai hapi një restorant edhe në Tiranë ku qëndronte shumicën e vitit. Pas viteve ’90, në Dardhë janë hapur disa kafe, hotele e restorante, por nismëtar i tyre në këtë fshat, mbetet shqiptaro-amerikani, Jani Batelli. Siç thotë Balzaku ”Puna i jep shkëlqim rinisë dhe nder pleqërisë”. Kjo thënie e bukur mishërohet në figurën e Jani Batellit. Ai kishte mbaruar vetëm filloren, por kishte një shkollë tjetër të madhe: atë të jetës. Ai zotëronte tre gjuhë: anglisht, greqisht dhe italisht.

 

IDEATOR I NGRITJES SË KAMPIT TË PUNËTORËVE NË VENDLINDJE

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, lokali i tij u dogj nga italianët por ai e ndërtoi prap pas Çlirimit. Në vitet e para pas luftës, shteti ia ndryshoi destinacionin. U përdor nga Artizanati i Korçës e më pas nga ushtria. Kjo gjendje nuk i pëlqente Janit. Ai kishte dëshirë që ajo godinë të bëhej kamp punëtorësh. Kështu do t’i vlente më shumë Dardhës, pasi jo vetëm që do ta gjallëronte jetën e saj, por do kënaqte edhe pushuesit që do vinin në këtë vend të bukur klimaterik. Shkoi te një pushtetar i nivelit të lartë në Tiranë dhe e i shfaqi këtë mendim. Në fillim pushtetari hezitoi por pastaj e vlerësoi idenë e kampit. Në vitin 1971 lokali i tij u bë pjesë e kampit , tok me disa ndërtesa të tjera siç ishte një pjesë e shkollës së fshatit dhe disa shtëpi që pronarët e tyre nuk jetonin në Dardhë. Në këtë mënyrë këto shtëpi shpëtuan nga rrënimi, siç ndodhi me disa shtëpi të tjera. Drejtor i kampit që nga vitin 1971 e deri në vitin 1991 kur po ndryshonte sistemi, ishte djali i tij, Pandi Batelli. Gjatë 20 vjetëve të kampit të punëtorëve, u punësuan disa fshatarë të Dardhës e fshatrave rreth saj. Gjatë kësaj kohe aty erdhën mijra pushues, të cilët e gjallëruan jetën e fshatit. Jani Batelli ndrroi jetë në vitin 1975. Eshtrat e tij prehen në Dardhë, të cilën e deshi me gjithë shpirt.
 

TRADITA VAZHDON

Në vitin 1992, me fitoren e demokracisë, në lokalin e ndërtuar nga Jani Batelli, filluan të punojnë djali i tij, Pandi dhe Shadija, bashkëshortja. Ata e ruajtën emrin qëi i kishte vënë Jani ”Turist-Park” duke i shtuar edhe fjalët “Taverna “Batelli”. Klientët që kanë shkuar në lokalin e tyre kanë qënë të kategorive të ndryshme: punëtorë, fshatarë, biznesmenë, deputetë, ministra e kryeministra. Kanë qënë aty edhe shtetas të huaj. Dy herë ka qënë ish ambasadorja e BE-së në Shqipëri, Vllahutin. “Sekreti i klientëve që vijnë në lokalin tonë, është se ne i trajtojmë ata si pjesëtarë të failjes”, thonë Pandi e Shadija. Gatuajnë ushqime tradicionale të zonës, si lakrorë, petanikë, qumështor, petulla, mish të pjekur, kukurec, etj, ndërsa në stinën e dimrit përgatisin turshi të ndryshme. “Kënaqësia më e madhe janë vlerësimet e klientëve, thonë ata. Na kanë mbetur në mëndje fjalët e një klienti që ishte në emigracion. Quhej Mit’hat Idrizi. Ai kishte ardhur bashkë më gruan. E kishte parë lokalin tonë në televizion dhe prandaj erdhi. U kënaq dhe para se të ikte na tha:”Juve e kini futur Dardhën në hartën e botës”. Sot Pandi e Shadija janë të moshuar, por nuk i ndahen punës. Ai është 84 vjet, ndërsa ajo 78. Pandi ka marë pashaportën amerikane në vitin 2000. Ka qënë disa herë në Amerikë por nuk i ndahet zemra nga Dardha. Ndoshta më vonë mund të shkojnë aty, pasi kanë vajzën dhe djalin.

 

NJË “DEGË” E FAMILJES BATELLI NË AMERIKË

“Degët” e familjes Batelli janë shpërndarë në Shqipëri e nëpër botë. Një “degë” e saj është në Amerikë e konkretisht në qytetin Ëorchester, i cili ka qënë qendra kryesore e emigrantëve dardharë në Amerikë. Pas viteve ’90, në këtë qytet erdhën pasardhës të tyre, ndër të cilët edhe të familjes Batelli. Aty ndodhet Jorgjia, vajza e Janit tok me dy bijat e saj, Arjanën dhe Anilën, ndodhet mbesa e tij Luljeta me të vëllanë , Arjanin dhe dy fëmijët e tij, nipi dhe mbesa e Teftës, vajzës së Janit, etj. Të gjitha këta e ndonjë tjetër i fisit të tyre, janë nënshtetas amerikanë. “Derën” e Amerikës për ta e hapi Jani Batelli, prandaj të gjithë i janë mirënjohës. Luljeta tok me bashkëshortin, Adriatik Hila, kanë hapur biznesin e tyre të importit të verërave nga Italia, ku kanë qënë më parë emigrantë Ja kështu, tradita Batelli vazhdon edhe në Amerikë. Siç thotë populli “dardha bie ndënë dardhë”.

Comment

*