Kur shqiptarët mbajtën meshë në Notre Dame të Parisit

Ruben Avxhiu

Zjarri shkatërrimtar që goditi dje Katedralen e famshme Notre Dame të Parisit, solli reagime emocionale në mbarë botën.
Ndonëse në esencë një objekt fetar, bukuria e madhështia arkitekturale, lidhja me ngjarje të mëdha historike, vendi në vepra letrare, filma e vepra të mëdha artistike, lidhjet me Parisin, kujtime personale e shumë arsye të tjera kanë ndikuar që ta bëjnë atë një ikonë të civilizimit perëndimor, apo një simbol mbarëbotëror.
Shumë shqiptarë e amerikanë ashtu si njerëz në mbarë botën komentuan ngjarjen e shumë prej tyre botuan e ribotuan kujtime kolektive e personale, historike e intime, të lidhura me Katedralen e famshme.
Në këtë kuadër, ia vlen të kujtojmë një moment të caktuar në histori, kur shqiptarë nga e gjithë bota u mblodhën në Notre Dame për një meshë historike.
Ngjarja ndodhi, 39-vjet më parë, në 6 maj 1980, kur qyteti i Parisit nderoi Heroin Kombëtar shqiptar, Gjergj Kastriot Skënderbeun duke emërtuar një shesh me emrin e tij.

Fotografia dhe shpjegimi nga Cezar Ndreu: “At Sofron Prence eshte prifti shqipetar nga Elbasani qe mbajti Meshen per Skenderbeun me 6-7 Maj ne Notre Dame Paris 1980. I larguar nga regjimi komunist, gjate1944-1992 sherbeu ne kishen shqipetare te Hores Arbereshe. Pas renjes se Komunizmit erdhi dhe nderoje jete pa buje ne Elbasanin e tije te lindjes. Per shume shqipetarr At Sofron Prence eshte i panjohur per aktivitetin e tij si fetar dhe patriotik kombetar!”

At Sofron Prence (fotografia anash), udhëhoqi meshën e madhe. Kori i famshëm i vajzave arbëreshe nga Siçilia, që kishin mahnitur Parisin me kostumet e tyre, kënduan nën drejtimin e At Sotirit.
Sipas “Buletinit Katolik Shqiptar”, në meshë merrte pjesë edhe Kardinali i Parisit si dhe figura të njohura zyrtare e fetare franceze.
Meritën më të madhe që një shesh në Paris mori emrin e heroit tonë kombëtar e kishte Lec Shllaku, gazetar dhe redaktor i gazetës “Koha Jonë”.
Një tjetër bashkatdhetar që ka luajtur rol të madh ka qenë Isa Ndreu, pa mbështetjen financiare të të cilit, kjo fushatë ndërgjegjësimi nuk do të kishte vijuar dot për më shumë se dhjetë vjet e të kurorëzohej me sukses.
Ndreu dhe Shllaku, që njiheshin që nga koha kur ishin nxënës, në Shkollën Normale të Elbasanit, si tregon nipi i Isait, Cezar Ndreu, ishin një model bashkëpunimi dhe udhëhoqën përpjekjet e komunitetit të shqiptarëve për këtë fushatë.
Ata, jo vetëm që nuk patën as mbështetjen më të vogël nga Shqipëria komuniste, madje ajo u përpoq që t’i sabotonte në çdo hap.
Kryetari i Bashkisë së Parisit në atë kohë, ishte njeriu që do të bëhej një ditë President i Francës, Zhak Shirak (Jacques Chirac).
Në fakt, një numër i gazetës “Koha Jone” e vitit 1982, i fotografuar këtu, tregon se vendimi për emërtimin kishte qenë një kurorëzim i një pune gati 10-vjeçare, e nisur me sa duket që në 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriot Skënderbeut.
Vendimi zyrtar u mor nga Këshilli Bashkiak i Parisit, në 10 korrik 1978. Datat e ceremonive për nderimin e ikonës historike shqiptare u caktua 6-7 maji i vitit 1980.
Në këto data, qindra shqiptarë udhëtuan nga vende të ndryshme të Europës si dhe nga SHBA për të marrë pjesë në ngjarjen e madhe.
“Koha e Jonë” shkruan se ditët e festës filluan me mbëritjen e arbëreshëve nga Piana degli Albanesi në Itali, e mbaruan me një gosti zyrtare në mbrëmjen e 7 marsit.
Është një kujtim i bukur shqiptar, në paradën e kujtimeve nga e gjithë bota, kushtuar Katedrales që pavarësisht prej zjarrit të tmerrshëm, dukt se ka mbijetuar, do të riparohet në kohë, e do të vazhdojë të frymëzojë e zbukurojë Parisin. (Ruben Avxhiu)

Comment

*