Kurorat me lule të serbëve te varri i Esat Pashës

Uran Krasniqi

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kohëve të fundit në kuadër të idesë për dialog të brendshëm për Kosovën po thotë se “duhet të jemi miq të mirë me shqiptarët” si dhe “duhet ta pranojmë që më nuk mund të qeverisim me Shtimjen dhe Malishevën”.

E kemi parë të gjithë se si zyrtarë serbë shkojnë dhe hedhin kurora me lule te varri i Esat Pashë Toptanit.

Pastaj flasin për të dhe thonë se ai ishte një shqiptar i mirë. Natyrisht që flasin mirë për të, sepse është një person që pranoi të punonte për interesin e tyre.

Pra nuk është e pamundshme të jesh miq me serbët. Por duhet të jesh modeli i Esat Pashë Toptanit.

Që bën lëshime për synimet e tyre të zgjerimit të Serbisë. Tamam puna të mos them unë për ty, që je njeri i mirë, kur ta marrë pasurinë që e ke dhe ti e pranon një gjë të tillë.

Çështja është që unë do të duhej të kisha respekt për ty pa ta marrë atë që është e jotja.

Miqësi ndoshta edhe do të mund të kishte në të ardhmen, por paraprakisht njohje të Kosovës nga Serbia dhe tërheqje totale nga obstruksionet që i bëjnë.

Ne nuk do ta luajmë rolin e Esat Pashë Toptanit për vendin tonë për të pasur miqësi me juve.

Sa i takon asaj që e thotë ai se nuk mund të qeveriset me komunat në thellësi të Kosovës, duke lënë të kuptohet se një gjë e tillë mund të ndodhë me veriun institucionet e Kosovës duhet të jenë të qarta: shteti ynë është njohur në kufijtë e tij nga shumë shtete të botës dhe me Serbinë mund të flitet vetëm për demarkimin e kufijve.

Njëherazi jo autonomi për asnjë komunitet në Kosovë, sepse me Pakon e Ahtisaarit kanë mjaftueshëm të drejta.

Comment

*