Kurteshi: Molliqaj u flet aktivistëve për krijimin e një partie të re

Prishtinë, 19 janar 2018 – Sekretari Organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi, e akuzon pararendësin e tij në këtë pozitë, Dardan Molliqajn, se “po organizon takime ilegale me aktivistët e Lëvizjes”.

Në një postim në Facebook, Kurteshi shkruan se Molliqaj paralajmëron se ai dhe përkrahësit e tij do të bëjnë një “çarje të madhe” në Vetëvendosje dhe krijimin e një partie të re politike.

Postimi i plotë i Kurteshit:

Ankesat e Aktivistëve

Disa aktivistë dhe anëtarë kryesie të Qendrave të Lëvizjes VETËVENDOSJE! Ditëve të fundit po ankohen se ish Sekretari Organizativ, Dardan Molliqaj po organizon takime ilegale me aktivistet e Lëvizjes..

Në këto takime, sipas aktivistëve, ai po pretendon se ai, dhe përkrahësit e tij, do të bëjnë një “çarje të madhe” në organizatë, duke aluduar edhe për krijimin e një partie të re. Në këto takime, sipas aktivistëve, janë përmendur shifra që kanë të bëjnë me dëmet që ai synon t‘ia shkaktojë Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Secili ka të drejtën e fjalës së lirë, por kjo e drejtë dhe pozicionet që njerëzit mbajnë brenda Lëvizjes VETËVENDOSJE! nuk mund të keqpërdoren duke përhapur dezinformata brenda Lëvizjes, me qëllim të dobësimit të saj. Veprime e tilla të dëmshme janë të papranueshme dhe si të tilla duhen të ndalen menjëherë.

Në Lëvizjen VETËVENDOSJE!, angazhimi dhe puna e organeve vendimmarrëse dhe organizimi i aktiviteteve po vazhdojnë, në përputhje me Statutin dhe rregulloret e brendshme, si dhe po respektohet demokracia e brendshme dhe parimet tona politike. Përkrahja e madhe për Lëvizjen që po ndodh këto ditë është garancia më e mirë se asnjë manipulim nuk mund ta ndalë rritjen dhe fuqizimin e mëtutjeshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, prandaj çfarëdo përpjekje për dobësimin e Lëvizjes Vetëvendosje është e kot.

Ismajl Kurteshi

Sekretar Organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje.

(r.m.)

Comment

*