Kurti flet me bashkëpartiakët për zgjedhje të parakohshme parlamentare

Prishtinë, 2 maj 2020 – Kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti, duket i bindur se përpjekjet pqër formimin e një qeverise të re do të dështojnë dhe vendi do të shkojë në zgjedhje të tjera të parakohshme.

Bindja e tij, siç e ka thënë vetë, është forcuar pasi edhe Partia Demokratike e Kosovës u deklarua për zgjedhje të parakohshme.

“Pas LVV, tash edhe PDK u shpreh për zgjedhje të reja në Kosovë. Dihet se qeverinë e re të synuar nga Presidenti nuk e përkrah as Kryeparlamentarja si dhe disa deputetë të tjerë. Ky është një argument shtesë që veçse në zgjedhje duhet të shkojmë”, citohet të ketë thënë Kurti, në një mbledhje online me drejtues të qendrave të LVV-së.

Kurti, siç njoftohet në komunikatën e lëshuar në profilin e partisë në Facebook, ka folur edhe për datën e preferuar për zgjedhjet e parakohshme, madje edhe për datën e tubimit përmbyllës të fushatës parazgjedhore të partisë. Ai ka thënë se LVV-së do t’I konvdnonte që zgjedhjet të mbaheshin më 14 qershor.

“Neve si LVV do të na konvenonte e diela e 14 qershorit 2020 për zgjedhje, sepse tubimin e madh përmbyllës do ta mbanim të premten me 12 qershor, pra duke e festuar njëkohësisht 15 vjetorin e themelimit të VETËVENDOSJE!-s”, citohet të ketë thënë ai.

Kurti ka folur edhe për punën e Qeverisë në detyrë që e drejtoi. Ai i ka vlerësuar të suksesshme masat e ndërmarra nga Qeveria për parandalimin e përhapjes së epidemisë së koronavirusit dhe të krizës së shkaktuar nga epidemie. Por, ai i ka vlerësuar edhe udhëzimet e profesionistëve dhe disiplinën e qytetarëve.

“Masat e reja të ndërmarra kanë pasur efektin e tyre çka ka ndikuar në uljen e trendit të të infektuarve e rritjen e numrit të të shëruarve. Me masat e qeverisë e këshillat e profesionistëve shëndetësor, por edhe me më të rëndësishmen displinën e bashkëpunimin qytetar shumë shpejt do ta mposhtim virusin”, ka thënë ai.

Kurti ka folur edhe për disa vendime të tjera të Qeveris në detyrë, si ato për  shkarkimin e bordeve dhe menaxhmenteve të ndërmarrjeve publike, denoncimin e keqpërdorimeve dhe keqmenagjimeve në institucionet shtetërore dhe në ndërmarrjet publike.

Komunikata e plotë e LVV:

Sot u mbajt mbledhja me qendrat e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, në të cilën morën pjesë kryetari i Lëvizjes, z. Albin Kurti, njëherit edhe kryeministër, sekretarja organizative, znj. Vlora Haxhimehmedi dhe koordinatori i qendrave, z. Valon Hoti.

Kryeministri Kurti nga zyret e Lëvizjes foli mbi prioritetin e punës së tij gjatë kësaj kohe, që është ai i menaxhimit me pandeminë COVID-19. Masat e reja të ndërmarra kanë pasur efektin e tyre çka ka ndikuar në uljen e trendit të të infektuarve e rritjen e numrit të të shëruarve. Me masat e qeverisë e këshillat e profesionistëve shëndetësor, por edhe me më të rëndësishmen displinën e bashkëpunimin qytetar shumë shpejt do ta mposhtim virusin.

Në mbledhje u theksuan edhe punët të tjera duke filluar nga çlirimi i bordeve e menaxhmenteve të ndërmarrjeve publike deri te denoncimi i gjetjeve të shumta që kanë ngulfatur këto ndërmarrje nga njerëz të pushtetit të vjetër.

Duke folur mbi zhvillimet e fundit, sa i përket përpjekjeve antikushtetuese, jolegjitime dhe ilegale të Klubit të Stërvjetëruar Politik, kryeministri Kurti potencoi:

“Pas LVV, tash edhe PDK u shpreh për zgjedhje të reja në Kosovë. Dihet se qeverinë e re të synuar nga Presidenti nuk e përkrah as Kryeparlamentarja si dhe disa deputetë të tjerë. Ky është një argument shtesë që veçse në zgjedhje duhet të shkojmë. Ndërkohë, masat ndaj pandemisë COVID-19 po zbuten ca. Neve si LVV do të na konvenonte e diela e 14 qershorit 2020 për zgjedhje, sepse tubimin e madh përmbyllës do ta mbanim të premten me 12 qershor, pra duke e festuar njëkohësisht 15 vjetorin e themelimit të VETËVENDOSJE!-s”.

Pas pikës politike, mbledhja vazhdoi me çështjet organizative dhe formën se si do të kryej veprimin e saj organizata jonë në këtë kohë pandemie. Zyret tona janë hapur sërish, puna dhe aktivitetet intensifikohen.

(r.m.)

 

Comment

*