Kurti godet Vuçiqin, Thaçin e Ramën, për “mini-Shengenin” dhe për kufijt

Munih, 14 shkurt 2020 – Ka dalë në publik ekspozeu i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në panelin e Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë në Munih kushtuar Ballkanit Perëndimor, ndonëse paneli ishte i mbyllur për publikun.

Dikush ka arritur ta regjistrojë dhe ta publikojë fjalën e Kurtit, ndonëse, sipas rregullave “Chatam House Rule”, pjesëmarrësit nuk kanë të drejtë t’i nxjerrin në publik ato që fliten në tryezë.

Në panelin për Ballkanin Perëndimor, që u mbajt të premten pasdite, përveç zyrtarëve evropianë e amerikanë, merrnin pjesë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Kurti e ka goditur idenë e “mini-Shengenit” ballkanik dhe ka kërkuar një “mini-Marshall Plan” për Ballkanin Perëndimor, si edhe idenë për ndryshimin e kufirit midis Kosovës e Serbisë.

“Kjo ideja e ‘mini-Shengenit’ nuk është shumë e qartë për mua, nuk kam parë shumë dokumente, është një ide e paprojektuar për implementim. Besoj se duhet të hyjë në Procesin e Berlinit. Kështu do të ishte më së miri, kur të gjashtë shtetet të jenë në tavolinë. Njëjtë sikur ‘Plani Marshall’, që u hartua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas Luftës së Dytë Botërore, tani neve na duhet një ‘mini-Marshall Plan’ për shtetet e Ballkanit Perëndimor”, citohet të ketë thënë ai.

Kurti është shprehur pro dialogut Kosovë-Serbi, por ka theksuar se çështja e kufijve nuk mund të jetë pjesë e dialogut. Ai i ka “fshikulluar” ashpër promovuesit e idesë për ndryshim të kufirit Kosovë-Serbi, Vuçiqin, Thaçin dhe Ramën.

“Gjëja e fundit, por edhe më e rëndësishmja, ne duhet të jemi të gatshëm për dialogun e ardhshëm mes Kosovës dhe Serbisë. Duhet t’i kemi parasysh tri parime për t’i shëruar plagët e planit të dështuar. Duhet ta përgatisim mirë, me parime të mira dialogun e ardhshëm në rajonin tonë, në veçanti atë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. E para, s’ka marrëveshje pa dialog; E dyta, s’ka dialog me harta dhe, E treta, pa presidentë rreth hartave”, ka thënë ai.

Kryeministri Kurti ka theksuar se tani, pas 20 vjetësh, ka ardhur koha që “Serbia të çlirohet nga Kosova”.

“Pothuajse secili prej jush na keni ndihmuar 20 vjet më parë që Kosova të çlirohet nga Serbia. Tani mendoj e ka ardhur koha që të ndihmohet Serbia për t’u çliruar nga Kosova. Pra, pas çlirimit të Kosovës nga Serbia, duhet të bëhet çlirimi i Serbisë nga Kosova”, ka theksuar Kurti.

Deklarata e Kurtit se bota duhet ta ndihmojë Serbinë “që të lirohet nga Kosova” ka nxitur reagimin e ashpër të Vuçiqit, por incizimi që ka dalë në publik dëshmon se presidenti serb nuk ka arritur ta marrë fjalën qër t’i përgjigjet kryeminisrit të Kosovës. (r.m.)

Video-regjistrimi i fjalës së Kurtit:

MSC flet Albini

Posted by Brahim Demaku on Friday, February 14, 2020

 

Comment

*