Kurti: Kosova ka nevojë për rilegjitimim të institucioneve

Prishtinë, 9 dhjetor 2020 – Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se Kosova ka nevojë për rilegjitimim të institucioneve, gjë që, sipas tij, bëhet vetëm përmes zgjedhjeve të reja. Ndërkaq për Serbinë ka thënë se duhet të demokratizohet.

Kurti ka bërë të ditur se këtë qëndrim e ka shprehur të martën në mbrëmje, në një takim online të organizuar nga Ëilson Center, me bazë në SHBA, një nga temat e të cilit ka qenë edhe dialogu me Serbinë

“Situata në Ballkanin Perëndimor dhe dialogu me Serbinë ishin po ashtu ndër temat kryesore të takimit. Aty paraqita qëndrimin tonë se dialogu duhet të jetë parimor dhe i definuar mirë, se Kosova ka nevojë për rilegjitimim të institucioneve përmes zgjedhjeve të reja, kurse Serbia ka nevojë për demokratizim dhe ballafaqim me të kaluarën. Gjithashtu, theksova se nuk duhet të synohet medoemos një përmbyllje e shpejtë e dialogut, por duhet t’i japim përparësi përmbajtjes, transparencës dhe gjithëpërfshirjes”, ka shkruar Kurti në një postim në Facebook.

Kurti ka bërë të ditur se në takim kanë marrë pjesë drejtori i Global Europe Progam që vepron në kuadër të Ëilson Center, Daniel Hamilton, dhe ekspertë të tjerë ndërkombëtarë të Grupit Punues për Ballkanin Perëndimor që vepron në kuadër të kësaj Qendre. Ai ka thënë se gjatë takimit është zhvilluar debat me shumë interes.

”Për ne ishte shumë e vlefshme t’i dëgjojmë mendimet dhe analizat e pjesëmarrësve mbi çështjet e shumta të diskutuara, si situata politike në SHBA, shanset e restaurimit të raportit trans-atlantik për rajonin tonë, niveli i ndikimit të Rusisë dhe Kinës në Ballkanin Perëndimor dhe masat për parandalimin dhe kufizimin e ndikimit të tyre autoritar etj. Në fund të diskutimit, u pajtuam që ta thellojmë bashkëpunimin tonë në të ardhmen”, ka shkruar Kurti.

Ai ka thënë se në takim ka prezatuar përvojën dhe sfidat e qeverisjes së tij dhe për objektivat e Lëvizjes Vetëvendosje.

(r.m.)

Comment

*